Arrestimi i Albin Kurti, opozita në Kosovë reagon ashpër

13/10/2015 00:00

Arrestimi i deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti në orët e mbrëmjes mobilizoi përnjëherë aktivistët dhe simpatizantë të tri subjekteve opozitare, të cilët reaguan ashpër pa zgjedhur mjete për të kundërshtuar arrestimin e Kurtit.

Gjatë shprehjes së pakënaqësisë u sulmuan vetura zyrtare të prokurorisë së shtetit, ndërsa sulmeve nuk i shpëtoi edhe dera e hyrjes së Partisë Demokratike të Kosovës.

Përveç kundërshtimeve në rrugë, shefat e Grupeve Parlamentare ftuan mediat për një konferencë për media në ambientet e Kuvendit të Kosovës por Policia u tha deputetëve se ata mund të futen në Kuvend, por pa media.

Pavarësisht përpjekjeve, Policia nuk lejoi që konferenca e opozitës për gazetarë të mbahet në Kuvend, ndërsa këtë veprim opozita e cilësoi si diktatorial derisa përgjegjës për gjithë situatën e bënë Kryeministrin Isa Mustafa.

Përfaqësuesit e opozitës kanë paralajmëruar se pas zhvillimeve të fundit në vend, protestat e paralajmëruara kohë më parë do të thirren shumë shpejt, ndërsa kanë paralajmëruar se reagimi qytetar do të jetë shumë i ashpër, derisa Kryeministri Isa Mustafa të heqë dorë nga marrëveshjet me Serbinë.

Top Channel