Mustafa: Veprimet e opozitës të papranueshme

13/10/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa e ka quajtur të dhunshme dhe të papranueshme si mjete politike protestën e opozitës. Ai ka reaguar mëngjesin e të martës për ndalimin e deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Mustafa tha se ndjen keqardhje për ato zhvillime, ndërsa sipas tij, lajmet dhe pamjet e tilla, e bëjnë të ndjehet keq.

Kreu i ekzekutivit përmes një reagimi në Facebook ka mohuar të ketë pasur ndikim për ndalimin e Kurtit, sic e akuzonin aktivistët e opozitës një natë më parë.

“Nuk më takon mua dhe asnjë politikani tjetër të ndërhyjë në punën e autoriteteve të rendit dhe atyre të drejtësisë. Përpara ligjit, të gjithë jemi qytetarë të barabartë. Kështu kemi vendosur kur kemi votuar ligjet dhe Kushtetutën e vendit tonë”, ka shkruar Mustafa.

Ai beson se organet e rendit dhe drejtësisë veprojnë në përputhje me Ligjet e Kushtetutën dhe me maturinë që kërkon situata në të cilën ndodhet vendi ynë.

“Në të njejtën mënyrë, dua të besoj që keshtu duhet te reagojnë edhe ata që nuk pajtohen me vendimet e organeve të rendit dhe të drejtësisë. Sidomos këto ditë, kur kemi përpara vetes nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian dhe përmbylljen e kritereve për Liberalizimin e Vizave, na duhet sjellje e përgjegjshme dhe në përputhje me normat ligjore, në interes të stabilitetit”, tha Mustafa.

Top Channel