Rrëzimi i avionit në Ukrainë, publikohet raporti i tragjedisë me 298 viktima

13/10/2015 12:15

Ashtu siç ishte paralajmëruar, raportin e tij përfundimtar mbi fluturimin malajzian “MH17” të rrëzuar në Ukrainë në 2014-n, bordi holandez për sigurinë ua prezantoi më së pari të afërmve të viktimave.

Episodi fatkeq u kushtoi jetën të 298 personave në bord. Hetimet paraprake treguan se mjeti mund të jetë goditur nga jashtë prej objektesh me fuqi të lartë, çfarë nxiti spekulimet se shkak i rënies mund të jetë bërë një raketë tokë-ajër.

Perëndimi dhe Kievi dolën shumë shpejt me pretendimet se, “Boeing 777”-n e rrëzuan rebelët. Rusia, nga ana tjetër, fajësoi Ukrainën.

Raporti holandez tregon se mjeti është goditur në pjesën e përparme të tij, nga krahu i majtë, prej një rakete “BUK” të prodhimit rus. Viktimat e episodit fatkeq, 196 nga të cilët shtetas holandezë, duhet të kenë humbur ndjenjat, pothuajse menjëherë pas goditjes.

Bordi tregoi edhe pjesë të avionit të marra nga rajoni i Donjeckut, i kontrolluar prej rebelëve, të cilat më pas janë rikonstruktuar.

4 ishin pikat, ku përqëndrohej ky dokument: çfarë e shkaktoi dëmtimin e avionit në ajër; përse po fluturonte mbi një zonë konflikti; përse disa prej të afërmve iu desh të prisnin 4 ditë përpara se të merrnin konfirmimin zyrtar, se njerëzit e tyre të dashur ishin në bord; në çfarë mase kanë qenë të vetëdijshëm pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit, se çfarë po ndodhte në momentet e tyre të fundit.

Avioni, i nisur nga Amsterdami drejt Kuala Lumpurit, ra në lindje të Ukrainës 17 korrikun e vitit të kaluar, pikërisht në kohën kur konflikti mes forcave të Kievit dhe separatistëve prorusë ishte në kulmin e tij.

Pavarësisht rezultatit që përcjell, përmbledhja e fakteve nuk tregon se mbi kë rëndon faji i tragjedisë. Më herët, zyrtarë rusë të firmës shtetërore “Almaz-Antey”, që prodhon raketat “BUK”, mohuan edhe një herë që raketa të jetë dërguar nga Rusia e të jetë lëshuar nga rajonet lindore të Ukrainës, të kontrolluara prej separatistëve prorusë, e këmbëngulën se provat e mbledhura deri më tani lënë të kuptohet që “BUK”-u tokë-ajër është hedhur nga forcat e Kievit.

Top Channel