Gjashtë sekretet e Kombëtares shqiptare

13/10/2015 14:00

Kualifikimi i  Kombëtares në Euro 2016 ka bërë që të shpërthejë festa kudo dhe jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe në Kosovë, Maqedoni e kudo tjetër ku ka shqiptarë.

Por cilat janë sekretet e arritjes së këtij suksesi. Këtë na e zbulon e përditshmja italiane ‘Corriere della Sera’.

Së pari, ai që e çoi Shqipërinë në Euro 2016 ishte formacioni. Nuk ishte parë kurrë më parë një skuadër ku pjesa më e madhe e futbollistëve luajnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Madje një pjesë e tyre kanë lindur jashtë vendit për të marrë më pas edhe kombësinë shqiptare për të zbritur në fushë me fanelën kuqezi.

Së dyti, një meritë e madhe i takon De Biasit, të cilit i lindi detyra për të rindërtuar skuadrën. Avantazhi i De Biasit qëndronte në faktin se qëndroi jashtë çdo logjistike të futbollit vendas, duke e nisur projektin e tij nga fillimi e duke u bazuar te talentët shqiptarë të shpërndarë në Europë.

Së treti, Shqipëria nuk është më ajo e dikurshmja. Infrastrukturat sportive janë përmirësuar dhe futbolli i këtij vendi i ngjan akoma më shumë atij europian. Këtë e vërteton Skënderbeu që ka arritur në fazën e grupeve të Europa League.

Së katërti, ajo që e ndihmoi shumë Shqipërinë drejt kualifikimit ishte ndeshja e parë në Grupin I. Kombëtarja e De Biasit mundi në Aveiro Portugalinë. Goli i Balajt dhe 3 pikët e marra nga Shqipëria i befasuan të gjithë komentatorët luzitanë.

Së pesti, mediat serbe, pas kualifikimit të Shqipërisë nuk lanë t’u shpëtonte mundësia për të deklartuar se Shqipëria fitoi falë dronit. Shfaqja e tij me banderolën e Shqipërisë së Madhe zemëroi tifozët vendas që dhunuan lojtarët miq, rezultati: ndeshja e pezulluar dhe Shqipëria që mori nga CAS-i 3 pikët në tavolinë.

Dhe së fundmi, shqiptarët u motivuan për të dhënë maksimumin edhe falë impaktit mediatik. Si çdo skuadër kombëtare e vogël, një prej objektivave kryesore e lojtareve është të shfaqen sidomos në syte e vëzhguesve. Nuk është mister se disa prej futbollistëve që luajnë me Shqipërinë kanë shfrytëzuar mundësinë për t’u shfaqur në arenën europiane për të kaluar në skuadra ku ka edhe bashkëkombas të tyre sidomos në Zvicër e Itali.

Top Channel