Ndalimi i Kurtit, Policia e Prokuroria publikojnë fletëthirrjet e refuzuara

13/10/2015 00:00

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu kanë qenë të njoftuar dhe të kontaktuar nga Policia e Kosovës për t’u marrë në pyetje, lidhur me veprimet e tyre për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës javën e kaluar.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe përfaqësuesi i zyrës së kryeprokurorit të Shtetit kanë paraqitur, në një konferencë me gazetarë, fakte që dëshmojnë se deputetët e Vetëvendosjes ishin kontaktuar, por kishin refuzuar të shkonin në polici për marrjen në pyetje.

“Policia e Kosovës ka shpërndarë dy thirrje, siç mund t’i shihni, për zotin Kurti dhe për zonjën Albulena Haxhiu, deputetë të Kuvendit të Kosovës. Që të dy këto thirrje janë dërguar në adresat e tyre. Respektivisht, për zotin Kurti në vendbanimin e prindërve të tij, ku ka pasur refuzim të pranimit të thirrjes nga njëri prind i zotit Kurti. Gjithashtu për zonjën Haxhiu, thirrja është adresuar në familjen e saj, në adresën e banimit të tyre, ku thirrja është refuzuar nga bashkëshorti i zonjës Haxhiu”, tha Shpend Maxhuni, drejtor i Policisë së Kosovës.

“Pas përpjekjeve për të dërguar ftesat e rregullta për deputetët, që ishin përfshirë në ngjarjen e Kuvendit të Kosovës, dhe pamundësisë për të siguruar praninë normale të tyre për të dhënë përgjigje lidhur me ngjarjet në fjalë, në këtë rast, prokurori kompetent ka qenë i detyruar që të lëshojë një urdhër për ndalimin dhe marrjen në pyetje të deputetëve të përfshirë në këtë rast”, tha Besim Kelmendi, prokuror në zyrën e kryeprokurorit të Shtetit.

Në këtë konferencë, përfaqësuesit e Policisë dhe të Prokurorisë thanë se, reagimet e protestuesve nga partitë opozitare mbrëmjen e së hënës kanë qenë të dhunshme, ku nuk kanë munguar edhe bombat me përzierje molotovi kundër Policisë.

Drejtori i Policisë tha se, dhuna e përdorur nga protestuesit është duke u hetuar nga personat kompetentë, ndërsa hodhi poshtë pretendimet e partive opozitare se, Policia ka keqtrajtuar të arrestuarit e protestës.

Ndërkohë, 14 policët dhe një protestues të plagosur nga protesta e një nate më parë, pas trajtimit mjekësor kanë dalë nga spitali.

Për ngjarjet e së hënës në mbrëmje ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës, e cila ka bërë përgjegjëse tri partitë opozitare për dhunën, që – sipas qeverisë, – kanë ushtruar aktivistët e tyre mbi Policinë dhe institucionet e tjera kushtetuese.

Por, edhe më i ashpër është treguar vetë kryeministri, Isa Mustafa, përmes llogarisë së tij në Facebook, ku të martën pasdite u është përgjigjur kërcënimeve të opozitës. Mustafa tha se, ata që po bëjnë me gisht e po kërcënojnë, nuk kanë lënë asgjë pa premtuar e pa ofruar për të qenë në pushtet.

“Sa për mua është e qartë se, njerëzit e LDK-së i kanë vrarë e i kanë kërcënuar, por kurrë nuk janë dorëzuar. E kanë kërcënuar edhe Ibrahim Rugovën, janë eliminuar shumë veprimtarë të LDK-së, por fryma shtetndërtuese nuk është ndalur. Nuk do ta ndalni as ju”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Ndërsa partitë opozitare, edhe të martën kanë vazhduar me akuza ndaj pushtetit, duke bërë përgjegjëse qeverinë për ndalimin e deputetit Albin Kurti. Gjatë një konference për media, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar vazhdim të hapave bllokues, në kundërshtim të marrëveshjeve Kosovë-Serbi.

FOTO GALERI
1/2
Fletëthirrja ndaj Albin Kurtit

Top Channel