Kosovë, ashpërsohen replikat Mustafa-Haradinaj

13/10/2015 00:00

Në Kosovë, duket se replikat mes kryeministrit Mustafa dhe opozitarëve tashmë janë ashpërsuar së tepërmi. Së fundi vjen edhe një reagim i kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili me anë të një komunikate për shtyp i përgjigjet një statusi të kryeministrit Mustafa në rrjetet sociale.

Ndikim kanë pasur edhe insinuatat në media, të cilat kanë hamendësuar se statusi i kreut të qeverisë i drejtohej pikërisht ish-kryeministrit të Kosovës nga radhët e AAK-së.

“Sa për mua, është e qartë se njerëzit e LDK-së i kanë vrarë e i kanë kërcënuar, por kurrë nuk janë dorëzuar. E kanë kërcënuar edhe Ibrahim Rugovën, janë eliminuar shumë veprimtarë të LDK-së, por fryma shtetndërtuese nuk është ndalur. Nuk do ta ndalni as ju”, ka shkruar kryeministri Mustafa në Facebook.

Ndërsa kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i përgjigjet se, nuk mund të shpëtohet fytyra duke u fshehur pas namit të Rugovës.

“Nuk e di se çfarë ka pasur ndër mend Isa Mustafa, kur ka shkruar statusin e tij në Facebook për vrasjen e aktivistëve të LDK-së dhe kërcënimet ndaj Presidentit Rugova. Por, nëse edhe me pahir i ka shkuar mendja tek unë – siç e paskan interpretuar disa media, – kjo tregon burracakërinë e tij. Ai po provon të gjejë fije kashte për të shpëtuar lëkurën e tij. Ia kujtoj Isa Mustafës se, kur unë kam pasur marrëveshje burrash me Presidentin Rugova, ai ka qenë si hijenë kundër tij, sikundër është edhe sot. Thellësisht kundër frymës së Ibrahim Rugovës, i cili as në atë dynja nuk do t’i kishte falur Bjeshkët e Rugovës! Lëre Facebook-un e kthjellohu kryeministër, sepse edhe aty e mbyte shqipen!”, përfundon reagimi i Haradinajt.

Top Channel