Maqedoni, debate për projektbuxhetin. PDSH: Është antishqiptar

13/10/2015 17:40

Partia Demokratike Shqiptare e ka quajtur antishqiptar projektbuxhetin e qeverisë së Shkupit për vitin 2016. Sipas këtij subjekti opozitar, në bazë të projeksioneve që kanë bërë partnerët e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI edhe vitin e ardhshëm mbi 97% të investimeve në kulturë, arsim, shëndetësi e infrastrukturë do t’i thithin qytetarët maqedonas.

“Investimet në infrastrukturë në vendbanimet maqedonase 99,31 %, kurse në vendbanimet shqiptare 0,68%. PDSH rithekson se kërkesa e saj për ndarjen proporcionale të buxhetit është një kërkesë jo vetëm reale, por edhe e domosdoshme që të parandalojë përfundimisht diskriminimin ekonomik të shqiptarëve”, deklaroi Gazmend Aliu, deputet i PDSH-së.

Edhe partia maqedonase në opozitë LSDM nuk do ta mbështetë projektbuxhetin e propozuar nga qeveria, për të cilin thotë se është joreal dhe jozhvillimor.

“Buxheti për vitin 2016 është joreal. Me këtë buxhet qeveria planifikon të fusë duart thellë në xhepat e qytetarëve dhe kompanive për ta marrë sa më shumë para të cilët më pas do t’i investojë në projekte joproduktive”, u shpreh Marjanço Nikollovski, deputet i LSDM.

Për ministrin e Financave, Zoran Stavrevski, vendimi i partive opozitare për të mos e mbështetur projektbuxhetin e qeverisë është i gabuar. Ai premtoi më tepër investime, rritje të pensioneve dhe deficit buxhetor më të ulët vitin e ardhshëm.

“Më vjen keq që nuk e mbështesni projektbuxhetin e qeverisë për vitin 2016. Edhe këtë vit gaboni, siç keni vepruar në të kaluarën kur nuk keni mbështetur projekte shumë të rëndësishme, siç janë ndërtimi i rrugëve, shkollave, rritja e pensioneve apo subvencioneve”, u shpreh ministri i Financave, Starevski.

Qeveria planifikon që vitin e ardhshëm të shpenzojë 3.18 miliardë euro ose 6% më shumë se në vitin 2015. Debati parlamentar për buxhetin shtetëror të vitit 2016 zgjatë 10 ditë.

Top Channel