Bruksel, Mogherini fton Mustafën e Vuçiç për darkë në selinë e KE

13/10/2015 00:00

Ndryshe nga raundet e deritanishme të Dialogut të Nivelit të Lartë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa , dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç janë ftuar në Bruksel nga Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini, për të darkuar në selinë e Komisionit Europian, në “Berlaymont”, por asnjë marrëveshje e re nuk pritet nga kjo tryezë, siç konfirmon për Top Channel zëdhënësja Koçijançiç.

“Është parashikuar një darkë punë e Përfaqësueses së Lartë me kryeministrat e dy vendeve. Mendoj se atyre do t’u bashkohen dhe ministrat e Jashtëm respektivë. Herën e fundit që u takuan në gusht, ata arritën një sërë marrëveshjesh të rëndësishme dhe prej asaj periudhe po vazhdon procesi i zbatimit. Kështu që, ata do të shohin gjendjen aktuale të dialogut dhe do të bisedojnë për mënyrat sesi të ecet përpara”, tha Maja Koçijançiç, zëdhënëse e KE.

Burime konfidenciale rrëfejnë se, pas dorëzimit të dokumentacionit përkatës nga të dy qeveritë, Komisioni Europian konsideron se, si Prishtina dhe Beogradi nuk kanë siguruar zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani, përmes Dialogut të Nivelit të Lartë, ndërsa ky shënon takimin e fundit përpara publikimit të pritshëm të raporteve respektive të progresit.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel