Euro 2016, Holanda jashtë Europianit

13/10/2015 22:50

Holanda nuk do të jetë pjesë e fazës finale të “Francë 2016”, ndërkohë që Turqia kualifikohet direkt si skuadra e tretë më e mirë e të gjitha grupeve.

“Portokallinjtë” e drejtuar nga Blind janë mundur 2-3 në “Amsterdam Arena” nga Çekia, humbje kjo që shuajti shpresat e pakta të holandezëve për të kaluar në fazën “play off”. Lojtarët e mëdhenj holandezë si Van Persie apo Snejder nuk arritën të mposhtin Çekinë, kjo e fundit luajti për shumë minuta me 10 lojtarë.
 
Ndërkohë, goli i Selçuk Inan në minutat e fundit i dha fitoren 1-0 Turqisë ndaj Islandës dhe njëkohësisht biletën për të shkuar në finalen e “Francë 2016” pa patur nevojën e ndeshjeve “play off”. Përfaqësuesja e Terim arriti të pozicionohet si e treta më e mirë e 9 grupeve falë dhe fitores 0-1 të Kazakistanit në Letoni.

Ndeshjet e fundit në grupe kanë vendosur dhe skuadrat që do të kenë dhe një shans të fundit për të qenë pjesë e finaleve të “Francë 2016”. Bosnje-Hercegovina mposhti 3-2 Qipron dhe konsolidoi vendin e tretë në grupin B.

Në fazën “play off” ka kaluar edhe Norvegjia, e cila u mund 2-1 nga Italia, ndërkohë që Kroacia falë fitores 0-1 në Maltë mori vendin e dytë dhe siguroi dhe ajo kualifikimin pëër në “Francë 2016”.

Top Channel