Polemikat De Biasi-Manaj, agjenti i futbollistit zbulon të vërtetën

14/10/2015 00:00

Rey Manaj padyshim që është një prej talenteve që premton shumë dhe grumbullimi i tij me kombëtaren shqiptare herët a vënë me siguri që do të ndodh. Por duket se gjërat mes tij dhe trajnerit De Biasi nuk shkuan ashtu si duhet në ditët e fundit.

Sulmuesi 18-vjeçar i Interit dhe i përfaqësueses së 21-vjeçarëve të Shqipërisë reagoi ashpër ndaj De Biasi, duke deklaruar se trajneri ka gënjyer kur është shprehur se ai i dërgon sms çdo javë për ta grumbulluar, duke e ftuar trajnerin të publikojë mesazhet. Një reagim me tone të forta që krijoi konfuzion, edhe mbi faktin nëse ishte i vërtetë.

Por gjithçka është sqaruar nga menaxheri i Manajt , Alberto “Jimmy” Fontana. Ish-portieri i mirënjohur italian, i cili ka punuar për 4 vjet me De Biasi-n te Torino, foli për “Supersport” duke thënë se Manaj ka gabuar, por e gjithë kjo është një keqkuptim.

“Rey-t që është i grumbulluar me kombëtaren U-21 sot ju përcollën nga disa miq të tij disa deklarata ku i thanë që De Biasi paska folur dje, duke i thënë që Rey i ka dërguar mesazhe për t’u grumbulluar në kombëtare, dhe Rey që e ka kuptuar se ka gabuar, është rrëmbyer, ka dërguar këtë përgjigje në Facebook, por ka qenë komplet një keqkuptim. Kjo në kuptimin që Rey e ka shumë për zemër kombëtaren, është e vërtetë që i ka dërguar një sms Zotit De Biasi pas ndeshjes me Serbinë duke i thënë se ishte në dispozicion për t’u grumbulluar për ndeshjen me Armeninë, por thënë gjithë këto Rey ka gabuar, pasi para së të shkruash duhet të dish saktësisht atë që është thënë”, tha Alberto Fontana.

Menaxheri i Manajt, që shprehet me respekt maksimal për De Biasi-n pasi për katër vjet që kanë punuar se bashku ka pasur mundësinë të vlerësojë ndershmërinë dhe korrektësinë e tij, shprehet se gjithçka ka ardhur pasi Manajt i janë përcjellë të keqintepretuara apo shtrembëruara fjalët e De Biasi-t, i cili ka thënë diçka të drejtë, që nuk mund të grumbullojë një futbollist vetëm se i çon një sms. 18-vjeçari është nxituar nga dashuria e madhe që ka për fanellën e Shqipërisë pasi dëshiron të kontribuojë për vendin e tij.

“Ky problem lindi nga asgjë. Duhet kuptuar dhe që Rey është vetëm 18 vjeç dhe ndoshta u nxitua nga dëshira që ka për fanellën e kombëtares dhe dha këtë përgjigje duke treguar mungesë respekti ndaj një njeriu korrekt dhe të ndershëm si De Biasi. Djaloshi është i hidhëruar për atë që ka ndodhur dhe besoj se në orët e ardhshme do të kontaktojë me De Biasin për t’i kërkuar falje për atë që ka ndodhur”.

Është një çështje që duket e mbyllur pa lindur ende mirë, por për ta thënë diçka të tillë duhet pritur edhe fjala e De Biasit.

“Kam mundur të vlerësoj cilësitë morale dhe teknike të De Biasi-t, që edhe në momentet më të vështira sillet gjithmonë mirë, dhe unë shpresoj që ai ta falë, siç bën babai i familjes më një bir, një djalosh që është 18 vjeç dhe ka gabuar”.

Topi kalon në anën e De Biasit. Rey ka gabuar, por dhe ka kuptuar. Fakt është që Shqipëria ka nevojë edhe për djemtë si ai, që dëshirojnë me çdo kusht fanellën kuqezi dhe nuk ju ngrihet mendja për të parë diku gjetkë kur arrijnë në një ekip të madh si Interi apo Juventusi. Një përgjigje e ka dhënë edhe në fushë me golin ndaj Hungarisë, sërish me fanellën kuqezi atë të shpresave, i vetëdijshëm që kjo është rruga më e mirë për të arritur në Kombëtaren e madhe.

Top Channel