Kosovë, operacion antikrim kundër fajdexhinjve, 3 të arrestuar

14/10/2015 10:10

Të paktën 3 persona janë arrestuar dhe 3 lokale janë mbyllur të mërkurën në Prishtinë, si rezultat i operacionit për hetimin e të dyshuarve që merren me veprën penale të “Fajdes, detyrimit dhe evazionit fiskal”.

Në operacionin e realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë qenë të angazhuar dhjetëra pjesëtarë të policisë të cilët janë parë që në orët e paradites duke kryer kontrolle në lokale të ndryshme në Prishtinë.

Një ndër pikat e kontrollit ishte edhe një lokal në pallatin e rinisë dhe sportit të cilit i është vënë dryni menjëherë pas kontrollit. Policia arrestoi edhe pronarin e këtij lokali, shtetasin me inicialet A. B., i cili në ato momente ndodhej në zyrën e tij në afërsi të lokalit.

Në lokacione të tjera u arrestuan edhe dy të dyshuarit e tjerë G.A. dhe A.G. si dhe u mbyllën edhe dy nga lokalet, mjaft të frekuentuara, në qendër të kryeqytetit kosovar.

Në cilësinë e provave materiale, policia sekuestroi dokumente, kompjuterë, telefona dhe para të gatshme. Personave të arrestuar, me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, iu është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Ndërsa, të tri lokalet e kontrolluara mbyllen përkohësisht po me të njëjtin vendim. Kohëve të fundit Policia e Kosovës ka ndërmarrë disa aksione në të gjithë Kosovën duke arrestuar persona të tjerë të cilët janë përfshirë në dhënien e parave me fajde.

Top Channel