Gjermani, refugjatët “fundosin” sërish mbështetjen ndaj Merkelit

14/10/2015 00:00

Në Gjermani po kthehet gjithnjë e më në qendër të vëmendjes mbështetja ndaj Kancelares gjermane, Angela Merkel. Në fakt, përkrahja e konservatorëve të udhëhequr prej saj ka rënë në 38%, niveli më i ulët ky që prej qershorit të vitit 2014, kryesisht për shkak të diskutimeve dhe përçarjeve mbi mënyrën sesi duhej përballuar fluksi rekord i refugjatëve që kanë mbërritur në Gjermani.

Merkel dhe Horst Seehofer, kreu i partisë bavareze simotër e asaj të kancelares, kanë qenë shpesh në kundërshtim të njëri-tjetrit mbi mënyrën sesi duhej të reagonte Gjermania ndaj fluksit të emigrantëve të ardhur kryesisht nga zonat e luftës në Lindjen e Mesme, por edhe nga Afrika e Veriut.

Gjermania, që është edhe destinacioni më i parapëlqyer i refugjatëve të luftës, pritet të strehojë nga 800 mijë deri në një milion azilkërkues deri në fund të këtij viti.

E ndërsa Merkel është shprehur në favor të një politike me “dyer të hapura”, si dhe ka këmbëngulur se Gjermania mund t’ia dalë mbanë, Seehofer – kryeministër i Bavarisë, pika e parë e hyrjes në Gjermani për shumë emigrantë, – ka mbajtur një qëndrim të ashpër, teksa landi i tij ka kërcënuar se do ta padisë qeverinë në gjykatë, nëse nuk përpiqet të kufizojë fluksin e azilkërkuesve.

Një sondazh i kryer nga rrjeti televiziv “RTL” dhe revista “Stern”, tregon një rënie të mbështetjes ndaj konservatorëve me 1 për qind, duke rënë tashmë në 38%. Partia e “të gjelbërve” ka fituar 10 për qind, me rritje prej 1% nga java e kaluar, ndërsa mbështetja për partitë e tjera është e pandryshuar.

Socialdemokratët (SPD), partneri i vogël i koalicionit qeverisës të Merkelit, mbetet në kuotën e 25%, ndërsa ekstremistët e majtë “Linke” mbeten në nivelin e 9%. Ndërkohë, “Alternativa për Gjermaninë” (AfD), e cila mbështet linjën e ashpër ndaj emigrantëve, mbetet sërish e palëvizur në kuotën e 7% në rang kombëtar. Në Bavari, land që kufizohet me Austrinë dhe që ka hequr barrën më të madhe të fluksit të refugjatëve, “AfD”-ja është në kuotën e 9%, ndërsa nëse kalojmë më në lindje të vendit, mbështetja për këtë parti rritet në 13%.

E megjithatë, pavarësisht se popullariteti i vetë Merkelit ka pësuar një goditje të rëndë për shkak të krizës së refugjatëve, ajo mbetet sërish një nga figurat politike më popullore ndër kancelarët e pasluftës. Zgjedhjet e ardhshme federale (të përgjithshme) do të mbahen në vitin 2017 në Gjermani.

Top Channel