Debati presidencial në SHBA, Clinton përplaset me rivalët për “armët”

14/10/2015 00:00

Ishte një moment i çuditshëm në politikën amerikane. 5 kandidatët presidencialë, në të parin debat televiziv të këtij lloji brenda kampit demokrat, u pyetën mes të tjerash nëse ishin apo jo kapitalistë.

Përgjigjja normalisht, në Shtetet e Bashkuara duhet të konsiderohet e vetëkuptueshme. Por Bernie Sanders, senatori i pavarur nga Vermonti, që ka tronditur rrjedhën e paraprakeve demokratë e ka shkundur traditat politike të vendit, përcolli një mesazh mbi pabarazinë e pagave, që prodhon ky sistem.

74-vjeçari pozicionohet kundër asaj që e quan “klasë miliarderësh” e pohimet se gjërat duhet të jenë ndryshe i ilustroi me shembullin e shteteve skandinave dhe shërbimeve të tyre bujare të asistencës sociale. Megjithatë, duartrokitjet më të forta i mori për komentet mbi skandalin e “e-mail”-eve, që ka gërryer fushatën e ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton.

“Lermëni të them diçka, që mund të jetë ndonjë kartë e fortë politike, por për një gjë mendoj se sekretarja ka të drejtë, e ajo është që popullit amerikan i ka ardhur në majë të hundës me ato dreq ‘e-mail’-esh”, tha Bernie Sanders, kandidat për nominimin demokrat.

“Edhe mua, edhe mua (i shtrëngon dorën)”, u shpreh Hillary Clinton, kandidate për nominimin demokrat.

“Boll më me ‘e-mail’-et, të flasim për problemet e vërteta që mundojnë Amerikën sot”, tha Bernie.

Mes Sanders dhe Clintonit, që u evidentuan shpejt si dy figurat kryesore të debatit, pati përplasje në një sërë çështjesh. Ish-Zonja e parë e sulmoi rivalin për ligjin e armëve, duke lënë të kuptohet se ai nuk kërkon ashpërsimin e tyre. Sanders e goditi te politika e jashtme, me pohimet se mbështetja e saj për një zonë të ndalimfluturimit në Siri do të krijonte probleme serioze.

Tubimet elektorale të senatorit të Vermontit kanë tërhequr një numër të madh njerëzish, e në disa shtete edhe e kanë sfiduar statusin e Clintonit, si udhëheqëse e garës për nominim në kampin demokrat.

Shkëmbime mesazhesh e batutash pati jo vetëm mes këtyre dy rivalëve, por edhe 3 kandidatëve të tjerë në sallën e debatit në Las Vegas: ish-guvernatori i Marylandit, Martin O’Malley, ish-senatori i Virxhinias, Jim Webb, dhe ish-senatori Lincoln Chafee, të cilët u përpoqën që të gjithë të rrëmbenin vëmendjen e publikut e të medias.

Fokusi, megjithatë, mbeti te Sanders dhe Clinton; shtabet elektorale mbetën tmerrësisht të kënaqura me perfomancën e secilit prej tyre, megjithatë në sytë e ekspertëve, ishte Hillary ajo që e mori këtë pikë, duke mos u shfaqur ndoshta shumë e këndshme, por dëshmoi për çdo rast forcë dhe besim të madh në vetvete.

Top Channel