Bisedime SHBA-Rusi; avionët e tyre luftarakë rrezikuan përplasjen mbi Siri

14/10/2015 00:00

Pasi dy avionë të tyre luftarakë janë gjendur vetëm pak milje ajrore larg njëri-tjetrit, duke rrezikuar përplasjen, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia vendosën të zhvillojnë të tjera bisedime mbi sigurinë ajrore në Siri.

Ky do të ishte raundi i tretë i diskutimeve mes dy vendeve, në përpjekjet për gjetjen e mënyrave të shmangies së një konflikti aksidental. Kontaktet, megjithatë, nuk i kanë zbutur shumë gjërat mes Amerikës dhe Rusisë, që nuk lëkunden asnjëra nga e vetja.

Moska sqaroi se i ka rifreskuar propozimet e saj, shqyrtimi i të cilave do të bëhet gjatë një videokonference, e Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter u shpreh se pret së shpejti që mbi këtë çështje të ketë një marrëveshje.

Rusia e nisi fushatën e saj ajrore në Siri më 30 shtator, me argumentin se po shënjestron pozicionet e militantëve të Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera xhihadiste, pas kërkesës së Presidentit Bashar al-Assad për ta ndihmuar ushtarakisht.

Objektivat e goditura prej avionëve të saj, megjithatë, sipas Perëndimit dhe aktivistëve sirianë nuk janë aspak ato të trumpetuara nga zyrtarët rusë.

Përpara bisedimeve mbi sigurinë e fluturimeve në Siri, Carter e bëri të qartë se ato do të jenë profesionale e konstruktive, por amerikanët në këtë moment nuk afrohen dot më gjerësisht me qasjen e rusëve në Siri, sepse gjykimin e konsiderojnë të gabuar e shumë dritëshkurtër sa i takon aspektit strategjik.

Diskutimet vijnë pas deklaratave të zëdhënësit të ushtrisë amerikane, kolonelit Steve Warren, se të shtunën, dy avionë luftarakë amerikanë e dy bombardues rusë hynë në të njëjtën fushëbetejë ajrore në Siri, ku kanë pasur kontakt pamor me njëri-tjetrin.

Top Channel