Mashtrimi për azil në Gjermani, romët nga Ballkani shtiren si refugjatë nga Siria

14/10/2015 00:00

Autoritetet gjermane u kanë shprehur shqetësimin homologëve të tyre grekë, lidhur me deklarimin e rremë të qytetarëve nga vendet e Ballkanit për origjinën e tyre siriane.

Lajmi bëhet i ditur prej burimeve policore, të cilat i thanë Top Channel se, prej disa ditësh, autoritetet gjermane kanë njoftuar se kanë gjetur mes emigrantëve sirianë disa shtetas shqiptarë, kosovarë, boshnjakë dhe rumunë, të cilët kanë kërkuar azil në Gjermani.

Sipas burimeve, deklarimi i tyre si sirianë është bërë për të përfituar statusin e azilantit në Gjermani, pasi siç dihet ky vend nuk pranon më kërkesa për azil nga vendet e Ballkanit. Kjo mënyrë mashtrimi bëhet për të përfituar statusin e azilantit dhe përfitimet ekonomike, që ky status u jep atyre që e marrin atë, thanë burimet.

Mësohet se, kryesisht pjesëtarë të komunitetit rom nga Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Rumania, udhëtojnë drejt ishullit të Mytilinit dhe u bashkohen emigrantëve sirianë, sapo ata mbërrijnë në brigjet greke.

Në vazhdim, ata shfrytëzojnë vigjilencën e ulët dhe numrin e paktë të policëve grekë në pikat e regjistrimit në këtë ishull, si dhe mungesën e aparaturave moderne të marrjes së shenjave të gishtërinjve, për t’u deklaruar si emigrantë nga Siria.

Sipas burimeve, në Mytilini funksionojnë vetëm 6 nga 40 aparaturat e marrjes së gishtave në mënyrë elektronike, ndërsa në pikën e regjistrimit janë vetëm 12 policë në marrjen në pyetje të mijëra emigrantëve, që mbërrijnë çdo 24 orë në këtë ishull. “Është e lehtë të mësojë dikush pak fjalë standarde nga një gjuhë e huaj dhe me pak fat mund të funksionojë”, thanë burimet.

Me dokumentin e regjistrimit tashmë në xhep, ata nisen me avionë nga Athina, ose me autobusë nga Tirana për në Gjermani dhe, sapo arrijnë atje zhdukin dokumentet shqiptare të udhëtimit dhe deklarojnë dokumentet e emigracionit, duke kërkuar azil dhe përfituar pagesën për shtëpinë dhe shumën prej 400-600 eurosh në muaj, në formë ndihme, që shteti gjerman u jep emigrantëve.

Ndonëse shifrat e këtij fenomeni nuk janë shqetësuese, pala gjermane apeloi për rritjen e vigjilencës gjatë procesit të marrjes në pyetje në ishullin e Mytilinit.

Top Channel