Kriza politike, Jahjaga bën thirrje për dialog mes palëve

14/10/2015 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka dënuar dhunën, që shpërtheu të hënën në mbrëmje pas arrestimit të deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti. Për Presidenten, dhuna është e papranueshme.

Ajo u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që debatin ta kthejnë përbrenda institucioneve dhe t’i hapin rrugë dialogut.

“Ju keni dëgjuar shpesh herë, që unë u kam bërë thirrje të gjitha subjekteve politike parlamentare, të gjithë deputetëve të Republikës së Kosovës, që debatin ta kthejnë në Kuvendin e Kosovës, institucion ku janë zgjedhur nga qytetarët, që t’i zgjidhin çështjet e tyre dhe të punojnë në interes të qytetarëve të vendit, e jo t’i thellojnë më shumë problemet e qytetarëve të tyre. Ju bëj thirrje, që ky debat të kthehet në Kuvendin e Kosovës dhe t’i hapin rrugë dialogut, në mënyrë që të gjejnë mirëkuptimin për interes të shtetit tonë, për interes të qytetarëve tanë”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

Presidentja Jahjaga shtoi se, të gjitha mosmarrëveshjet politike duhet të adresohen dhe duhet të zgjidhen përmes mekanizmave dhe normave demokratike.

Këto komente, Presidentja Jahjaga i bëri gjatë vizitës në Institutin Onkologjik, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në kuadër të muajit të luftës kundër kancerit të gjirit.

Gjatë takimit me drejtorin e Institutit Onkologjik, Ekrem Hyseni, u diskutua sigurimi i aparaturës së re për radioterapi, që në bashkëpunim me Presidencën dhe Ministrinë e Shëndetësisë, pritet të sigurohet gjatë vitit 2016.

Top Channel