Izraeli aktivizon ushtrinë dhe policinë, postoblloqe në Jeruzalemin lindor

14/10/2015 18:50

Forcat izraelite të sigurisë kanë nisur një operacion masiv në zonat arabe të Jeruzalemit lindor, pas rritjes së sulmeve të kryera nga palestinezët.

Policia bllokoi të mërkurën në mëngjes hyrjet në Jabal Mukaber, një rajon prej nga vinin tre persona të akuzuar për vrasjen e tre izraelitëve ditën e martë. Edhe ushtria izraelite ka vendosur gjithashtu qindra trupa për të asistuar policinë.

Më vonë, agjentë të policisë deklaruan se kishin qëlluar për vdekje një person që ishte përpjekur të vriste me thikë një roje në hyrje të Qytetit të vjetër të Jeruzalemit.

Që nga fillimi i tetorit, shtatë izraelitë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në të shtëna dhe sulme me armë të ftohta, kanë deklaruar autoritetet vendase.

Ndërkohë, sipas ministrisë palestineze të Shëndetësisë, të paktën 30 palestinezë janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur nga reagimet e forcave izraelite, të cilat sipas tyre nuk kanë kursyer as të pafajshmit.

Të martën mbrëma, Kabineti Izraelit i Sigurisë autorizoi policinë që të mbyllte ose të rrethonte qendrat apo fraksionet prej nga vinin nxitësit e tensioneve në Jeruzalem.

Gjithashtu, Kabineti njoftoi se shtëpitë e palestinezëve që kanë sulmuar izraelitët do të prishen brenda pak ditëve, se nuk do të rindërtohen kurrë dhe se familjeve të tyre do t’u hiqej e drejta për të jetuar në Jeruzalem.

Top Channel