“MH17”, kreu i rebelëve pro-rusë hedh poshtë raportin holandez

14/10/2015 22:35

Një lider i rebelëve pro-rusë në lindje të Ukrainës ka refuzuar raportin e shtetit holandez që arrinte në përfundimin se një raketë e prodhuar në Rusi rrëzoi avionin MH17 në vitin 2014, duke vrarë 298 persona.

Aleksandr Zakharchenko ka deklaruar për BBC se, hetimi mbi ngjarjen nuk është kryer në mënyrën e duhur.

Raporti sugjeronte se raketa e prodhimit rus, “Buk”, është ndarë në pjesë kur ndodhej pranë avionit, nga shpërthimi i të cilave avioni është dëmtuar dhe rrëzuar.

Por Zakharchenko, lider i Republikës së vetëshpallur të Donetskut, mohoi që trupat e tij të ishin në zotërim të një rakete të tillë.

Ai kritikoi hartuesit e raportit, duke shtruar pyetjen përse nuk zbuluan se kujt i përkiste raketa apo vendin nga i cili ajo ishte qëlluar.

Sipas ekspertëve, si ushtria ruse ashtu edhe ajo ukrainase zotërojnë këtë tip raketash.

Perëndimi dhe Ukraina deklarojnë se Boeingun 777 e rrëzuan rebelët, por Moska nga ana e saj akuzon forcat ukrainase.

Shefi i aviacionit rus i bëri thirrje të mërkurën njësisë së hetimeve ajrore të OKB-së që të kryejë një hetim të ri mbi ngjarjen.

Në bazë të rregullave të hetimit ndërkombëtar të incidenteve, bordi holandez nuk kishte autoritet për të atribuar fajin.

Top Channel