“Credit Suisse”: Kriza 7-vjeçare goditi klasën e mesme të Greqisë

15/10/2015 08:35

Një raport apokaliptik i Credit Suisse tregon se si gradualisht, brenda 7 viteve të fundit, klasa e mesme greke e cila për dekada ka qenë shtylla kurrizore e ekonomisë dhe e shoqërisë se vendit është goditur shume rëndë nga shpërthimi i krizës ekonomike.

Prej vitit 2007, kjo klasë, që konsiderohej si nga më të pasurat në botë, filloi të varfërohet në mënyrë të dukshme. Sipas raportit, nga viti 2008 deri më sot, më shumë se 1.2 milion grekë kanë humbur të ardhurat e tyre vjetore, duke pësuar rënie të nivelit të jetesës, ndërsa gjatë këtyre viteve vlera e pasurisë së tyre ka rënë me rreth 500 mld euro.

Nëse në vitin 2007 vlera e pasurisë së klasës së mesme greke arrinte në 1.2 trilion dollarë, tashme ajo ka shkuar në 678 miliardë, duke pësuar një rënie prej 43%. Vetëm në vitin e fundit vlera mesatare e pasurisë së një greku të mesëm është reduktuar me 17%.

Sipas Credit Suisse, shkaqet që klasa e mesme greke nga 5.8 milionë qytetarë që numëronte në vitin 2007 sot ka shkuar në 4.6 janë rënia e vlerës së pasurive të patundshme në disa raste edhe me 60%, rënia e indeksit të bursës, kapitalizimi i aksioneve në vlera të ulëta, por edhe zhvlerësimi i monedhës europiane në krahasim me dollarin.

Shtatë vjet më parë, vlera e bursës së Athinës cilësohej në mbi 196 mld euro, ndërsa mbyllja e djeshme tregoi se kapitalizimi i gjithë aksioneve të saj shkonte vetëm në 39.6 mld.

Një rol të rëndësishëm, sipas kompanisë shumëkombëshe të shërbimeve financiare me bazë në Zvicër, ka luajtuar gjithashtu edhe reduktimi i pagave përgjatë viteve të krizës që shpesh herë ka shkuar në mbi 45% të vlerës së vitit 2007.

Greqia është vendi i vetëm në Eurozonë ku klasa e mesme ka pësuar këtë goditje, megjithëse masa të ashpra morën këto vite për shkak të krizës edhe Portugalia, Spanja dhe Irlanda, ndërsa bashkë me Argjentinën, Rusinë, Egjiptin dhe Turqinë ajo paraqet imazhin më të keq të këtij fenomeni në botë.

Top Channel