Kosovë, sërish gaz lotsjellës në Kuvend

15/10/2015 00:00

Salla e Kuvendit të Kosovës është mbuluar sërish këtë të enjte nga tymi dhe nga gazi lotsjellës, që kanë hedhur deputetët e tri partive opozitare në fillim të seancës, në orën 10, ndërsa kryetari Kadri Veseli është detyruar ta mbyllë menjëherë atë.

Deputetja Donika Kadaj-Bujupi, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka hedhur e para gazin lotsjellës, ndërsa menjëherë pas saj edhe deputeti i Vetëvendosjes, Faton Topalli ka bërë të njëjtë gjë pranë foltores.

Nga holli i Kuvendit të Kosovës, udhëheqësi i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se, kryeministri Isa Mustafa duhet të tërhiqet nga marrëveshjet me Serbinë, në të kundërt, bllokada e opozitës nuk do të ndalet.

Ai shtoi se, askush nga elektorati i LDK-së nuk i mbështet ato marrëveshje ndaj – sipas Haradinajt, – Mustafa është i vetëm në krijimin e “Zajednicës”. Gjithashtu, kreu i AAK-së tha se, nëse Kryesia merr vendim për t’i pezulluar deputetët e opozitës nga seancat, opozita do të pezullojë të gjithë Kryesinë, me mjete sikurse është vepruar deri më tani.

Menjëherë pas daljes nga salla e Kuvendit, përfaqësuesit e opozitës folën për aksionin e tyre dhe thanë se, ata u ndihmuan nga Policia e Kosovës, pavarësisht se një ditë më parë Kuvendi kishte rritur masat e sigurisë.

“Ajo polici që nuk është e kapur nga shteti po ndihmon edhe në futjen e gazit në Kuvend”, ka deklaruar Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Megjithatë, pretendimet e Konjufcës janë hedhur poshtë, duke u konsideruar si shpifje nga policia.

Pasi deputetët liruan sallën e mbledhjeve plenare, aty janë futur prokurorë dhe pjesëtarë të Departamentit Mjekoligjor, për të ekzaminuar vendin ku u hodh gazi lotsjellës.

Prokurorja e rastit, Fikrije Fejzullahu tha se, pasi të kompletojnë të gjitha gjetjet do të dalin me qëndrimin e tyre dhe me kallëzimet penale, ndaj deputetëve që kanë hedhur gazin lotsjellës në Kuvend.

Opozita kosovare kundërshton marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin e Komunave Serbe dhe vijën e demarkacionit me Malin e Zi. Gjithashtu, sërish këtë të enjte, deputetët e opozitës kanë hequr pikturat e reja të vendosura në hollin e Kuvendit.

Top Channel