Kina: Provokim “i paskrupullt” i SHBA në detin e Kinës Jugore

15/10/2015 00:00

Lundrimi i anijeve amerikane përmes ujërave ndërkombëtarë në detin e Kinës Jugore, përfshi edhe zonat e pretenduara prej Kinës, nuk duhen konsideruar si provokative, bëri të ditur kreu më i lartë i Marinës amerikane gjatë së enjtes, teksa një gazetë kineze kishte bërë thirrje për një kundërpërgjigje të vendosur ndaj sjelljes së “paskrupullt” të Shteteve të Bashkuara.

Kina është përfshirë në një ngërç pretendimesh mbi të njëjtat zona detare, të cilat pretendohen gjithashtu edhe nga Vietnami, Filipinet, Malajzia, Taivani dhe Brunei, në detin e Kinës Jugore, përmes të cilit qarkullojnë rreth 5 trilionë dollarë nga tregtia me anije çdo vit.

Pekini ka paralajmëruar se nuk do të qëndrojë duarkryq ndaj shkeljeve të ujërave të tij territorialë, në emër të lirisë së lundrimit. Shtetet e Bashkuara, nga ana tjetër, thonë se ligji ndërkombëtar ndalon pretendimin ndaj territoreve që shtrihen përreth ishujve artificialë, të ndërtuar mbi shkëmbinj nënujorë ekzistues.

“Nuk do të ishte surprizë për askënd, fakti që ne do të shfrytëzojmë lirinë për të lundruar kudo ku e lejon ligji ndërkombëtar”, tha John Richardson, shefi amerikan i operacioneve detare, përpara reporterëve në Tokio. “Nuk e kuptoj sesi një gjë e tillë mund të interpretohet si provokim”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Hua Chunying përsëriti edhe njëherë se Kina ka respektuar vazhdimisht, ashtu sikurse ka dalë në mbrojtje të lirisë së lundrimit apo të fluturimeve ajrore mbi detin e Kinës Jugore.

“Por, ne kundërshtojmë fuqishëm çdo shtet që kërkon të dëmtojë sovranitetin dhe sigurinë e një tjetër vendi, në emër të lirisë së lundrimit dhe fluturimeve ajrore”, tha ajo për reporterët.

“The Global Times”, një tabloid i lexuar në mbarë botën dhe me shumë influencë, bënte të ditur përmes një editoriali në të se, këto patrullime potenciale të Shteteve të Bashkuara nuk po kryhen realisht në emër të lirisë së lundrimit, por janë thjesht një tregues force që po synon të theksojë hegjemoninë globale amerikane.

“Nga kjo perspektivë, Kina absolutisht nuk do të lejojë anijet luftarake amerikane, apo avionët, të sillen në mënyrë të paskrupullt pranë ishujve dhe shkëmbinjve nënujorë të pretenduara nga Kina, ashtu sikurse në hapësirën ajrore mbi to. Në këtë mënyrë po sfidohet kufiri jugor i Kinës”, thuhej në gazetën në fjalë, duke iu referuar një publikimi të organit zyrtar mediatik të Partisë Komuniste në pushtet, “E përditshmja popullore”.

“Kapacitetet detare dhe ajrore të Kinës duhet të përgatiten, të jenë vigjilentë ndaj provokimeve të ushtrisë amerikane he të përgjigjen në mënyrën e duhur me kundërmasa”, shtohej më tej. “Nëse SHBA-të do të futen haptazi dhe në mënyrë të përsëritur në zonën prej 12 miljesh detare, por edhe mbi hapësirën ajrore të saj, atëherë duhet pasur një kundërsulm të vendosur”.

Top Channel