AAK, Haradinaj: Këmbëngulja e pushtetit, provokim dhe papjekuri politike

15/10/2015 00:00

Ngjarja e përsëritur e Kuvendit të Kosovës, ku sërish është hedhur gaz lotsjellës nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje në opozitë, ka shkaktuar edhe reagimin e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, edhe ky opozitar i qeverisë Mustafa.

“Është e pakuptimtë kjo këmbëngulje, që të mbahet me çdo kusht mbledhja e Kuvendit, kur në mungesë të reflektimit ndaj kërkesave tona është krijuar një klimë e papërshtatshme. Vetë kjo këmbëngulje është provokim, papjekuri politike dhe mungesë udhëheqësie shtetërore. Udhëheqësit politikë të këtij vendi nuk mund të sillen sikur çdo gjë të ishte normale. Ky vend ka ardhur në një situatë, kur duhet t’u japë zgjidhje dy marrëveshjeve që e kanë sjellë vendin këtu ku është, e më pas t’i rikthehemi normalitetit dhe jetës institucionale pozitë-opozitë”, ka thënë Haradinaj në reagimin e tij.

“Klima e krijuar kërkon reflektim dhe përgjegjësi politike. Organet e rendit dhe të drejtësisë duhet t’i lirojnë urgjentisht aktivistët politikë të AAK-së dhe të opozitës në përgjithësi. Situata është tepër serioze dhe nuk mund të zgjidhet me mjete policore, e as me këmbënguljen e pakuptueshme të pushtetarëve për t’i ikur përgjegjësisë, për dëmin e shkaktuar me këto marrëveshje”, tha më tej Haradinaj, referuar marrëveshjeve të nënshkruara nga Mustafa me Serbinë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, sikurse edhe marrëveshjes me Malin e Zi për përcaktimin e vijës kufitare me Kosovën.

Nga holli i Kuvendit të Kosovës, udhëheqësi i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se, kryeministri Isa Mustafa duhet të tërhiqet nga marrëveshjet me Serbinë, në të kundërt, bllokada e opozitës nuk do të ndalet.

Ai shtoi se, askush nga elektorati i LDK-së nuk i mbështet ato marrëveshje ndaj – sipas Haradinajt, – Mustafa është i vetëm në krijimin e “Zajednicës”. Gjithashtu, kreu i AAK-së tha se, nëse Kryesia merr vendim për t’i pezulluar deputetët e opozitës nga seancat, opozita do të pezullojë të gjithë Kryesinë, me mjete sikurse është vepruar deri më tani.

Top Channel