Prishtinë, SHBA paralajmëron shtetasit e saj për protesta

15/10/2015 00:00

Bllokimi i seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, të paralajmëruar të mbahej gjatë kësaj të enjteje, për shkak të hedhjes së përsëritur të gazit lotsjellës nga ana e deputetëve opozitarë, ka sjellë edhe reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara kundrejt qytetarëve amerikanë që jetojnë e punojnë në Kosovë.

Ambasada amerikane në Prishtinë lajmëron shtetasit e saj mbi mundësinë e të pasurit të protestave para selisë së Kuvendit, në kryeqytetin kosovar, gjatë ditës së sotme. Duke paralajmëruar se përmasa e këtyre protestave nuk dihet, ajo u bën thirrje shtetasve amerikanë ta shmangin sheshin “Nënë Tereza” dhe rrethinat e tij, si dhe të qenit pranë çdo lloj turme.

“Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë informon qytetarët amerikanë se, bazuar mbi raportimet e mediave, priten protesta përpara selisë së Kuvendit, pranë Teatrit Kombëtar. Partitë politike në Kosovë priten të demonstrojnë kundër marrëveshjeve të fundit politike, por përmasat e demonstratave nuk dihen ende. Personelit të ambasadës i ndalohet vajtja në sheshin “Nënë Tereza”, për shkak se protestat e mëparshme të ndodhura më 12 tetor u kthyen në protesta të dhunshme dhe policia u detyrua të përdorte gazin lotsjellës dhe metoda të tjera për të shpërndarë demonstruesit. Protesta mund të bllokojë disa prej rrugëve kyç në Prishtinë, si dhe të sjellë shqetësime në transportin publik. Shtetasit amerikanë duhet të shmangin zonat e demonstratave dhe të jenë vigjilentë në çdo moment”, thuhet ndër të tjera në njoftimin zyrtar të Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Top Channel