Kosovë, tubim opozitar përpara Kuvendit

15/10/2015 00:00

Pas bllokimit të seancës nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, ku sërish u hodh gaz lotsjellës, mbi 100 përkrahës të këtyre partive u mblodhën me shpejtësi para selisë së Kuvendit në Prishtinë.

Para përkrahësve doli kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i cili tha se protesta do të vazhdojë për sa kohë që pushteti nuk vret mendjen për interesin e qytetarëve të Kosovës.

Sipas Ymerit, koalicioni qeverisës duhet të heqë dorë nga marrëveshjet dhe nga sistemi i tyre absurd, duke shtuar se nuk ka seanca e as punë të rehatshme të Qeverisë, për sa kohë që ata këmbëngulin në zbatimin e këtyre marrëveshjeve.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi doli nga Kuvendi tha se opozita ka paraqitur dy kërkesa të qarta, të mos mbahen më seanca nga Kryesia e Parlamentit dhe qeveria të reflektojë e të tërhiqet nga marrëveshjet.

Përkrahësit e partive opozitare kanë qëndruar të qetë, në pritje të vendimeve nga Kryesia e Kuvendit. Por, ata kanë përcjellë me vërshëllima daljen e deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu.

Aktivistët janë shpërndarë të qetë, duke paralajmëruar që  veprimet e tyre të radhës do të varen nga vendimet e Kryesisë së Kuvendit.

Edhe Ambasada amerikane në Prishtinë ka lajmëruar ndërkohë shtetasit e saj, që të shmangin sheshet në qendër të kryeqytetit kosovar për shkak të protestave.

Top Channel