Konfuzion mbi skandalet, për të cilat Papa Françesku kërkoi falje

15/10/2015 00:00

Pas ndjesës së befasishme e disi të vagullt publike të Papa Françeskut, mbi skandalet e kishës që drejton, shumë vëzhgues po vrasin mendjen se, kujt iu referua saktësisht Ati i Shenjtë në apologjinë e tij.

Në audiencën e përjavshme, të mërkurën, Papa argjentinas kërkoi falje për gabime të profilit të lartë, që kanë të bëjnë me kishën ose Romën.

“Fjala e Jezusit është e fortë sot, mjerë bota, për shkak të skandaleve. Jezusi është realist. Ai thotë se skandale do të ketë, ato janë të pashmangshme. Por mjerë ai njeri, që shkakton skandale. Sot, para se të fillojë Katekizmi, në emër të Kishës kërkoj falje, për skandalet që kanë ndodhur kohët e fundit, qoftë në Romë, apo edhe në Vatikan. Kërkoj falje”, tha Papa Françesku.

Pohimet e tij u pritën me duartrokitje, por edhe me konfuzion se, për çfarë skandalesh e kishte fjalën konkretisht.

Ati i Shenjtë besohet t’i jetë referuar rastit të një prifti të lartë polak, të dëbuar nga Selia e Shenjtë, pasi deklaroi hapur se ishte homoseksual, e madje prezantoi partnerin e tij në media dhe denoncoi qëndrimin e Kishës mbi marrëdhëniet e të njëjtit seks.

Mirëpo, shumë menduan se mesazhi i lidhej me dorëheqjen e kryebashkiakut të Romës, Ignazio Marino, për shkak të një skandali shpenzimesh personale.

Javët e fundit, Marino ishte gjendur nën një breshëri kritikash për zvarritjen e përgatitjeve të vitit të shenjtë, që nis javën e dytë të dhjetorit, dhe shqetësimet se qyteti i varfër financiarisht nuk do të jetë në gjendje të presë turistët e shumtë, që priten të vërshojnë në kryeqendrën e Italisë me këtë rast.

Top Channel