Prokuroria, tjetër thirrje për Kurtin e Haxhiun; rrezikojnë edhe urdhërarrestin

15/10/2015 00:00

Prokurori i Shtetit e respekton plotësisht të drejtën demokratike të secilit qytetar për të protestuar, mirëpo ai është i detyruar që, në bazë të ligjit, të ndërmarrë të gjitha masat, nëse protestat shoqërohen me dhunë dhe veprime të tjera të kundërligjshme.

Për këtë arsye, ditën e mërkurë, Departamenti për Krimet e Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ka paraqitur kërkesën për caktimin e paraburgimit kundër 5 personave, të ndaluar gjatë zhvillimit të protestës së datës 12 tetor 2015, ndërkaq për 4 të tjerë ka kërkuar masën “paraqitje në stacionin policor”.

Të gjithë këta të pandehur dyshohen se kanë kryer veprën penale të “pjesëmarrjes në një turmë, që kryen vepër penale” dhe “huliganizmit”, të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

“Siç kemi njoftuar opinionin edhe më herët, Departamenti për Krimet e Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ka filluar hetimet kundër deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale të ‘shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘përdorimit të armëve’. Për këtë arsye, u është dërguar deputetëve Kurti dhe Haxhiu ftesa e radhës për t’u paraqitur në zyrën e prokurorit të çështjes, më 22 tetor 2015, për të dhënë deklaratat e tyre lidhur më dyshimet që u ngarkohen”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Gjithsesi, pas thirrjes nga prokurori, të gjithë të pandehurit – përfshi Kurtin dhe Haxhiun, – pavarësisht se duhet të paraqiten para prokurorit të Shtetit, mund të paraqesin edhe ankesë te gjyqtari i procedurës paraprake, për të vendosur mbi ligjshmërinë e detyrimit të tyre për t’u paraqitur para prokurorit të Shtetit.

Nëse të pandehurit, në rastin konkret Kurti dhe Haxhiu, të cilët janë thirrur mbi baza ligjore, nuk paraqiten dhe nuk e arsyetojnë mungesën e tyre, është e qartë se të pandehurit i shmangen pranimit të thirrjes, ndaj dhe gjyqtari i procedurës paraprake, me kërkesë të prokurorit të çështjes lëshon urdhërarrest.

Top Channel