“L’Equipe”, studim për kohën e aktivizimit të sportistëve

15/10/2015 00:00

Usain Bolt ka qëndruar në pistat e atletikës vetëm 7 minuta gjatë 2015-s. Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga e përditshmja franceze “L’Equipe”, e cila ka llogaritur kohën e aktivizimit të sportistëve të 6 disiplinave të ndryshme, pa marrë parasysh stërvitjet, ndeshjet miqësore apo garat jo zyrtare.

Për një sprintjer si bolt, kjo kohë aktiviteti është e shkurtër. Këtë vit, xhamajkani ka marrë pjesë në 18 gara, duke qëndruar vetëm 7 minuta në pistë.

Krejtësisht e kundërta ka ndodhur me çiklistin Tibo Pino, i cili ka pedaluar për rreth 17 mijë minuta, në 74 gara ku ai ka marrë pjesë. Mes këtyre dy ekstremeve gjejmë kampionin olimpik dhe botëror në xhudo, Riner, me 52 minuta në tapet, ndërsa kapiteni i skuadrës franceze të Regbisë, Dysotuar, arrin në kuotën e 2270 minutave.

Në fund mund të përmendim edhe yjet botërorë të sportit, LeBron James dhe Lionel Messi, të cilët janë aktivizuar respektivisht për 3337 dhe 6457 minuta, në parketin e NBA-së dhe fushën e futbollit.

Top Channel