Gjermani, fryma antirefugjatë po rrit “PEGIDA”-n dhe rivalët e Merkelit

15/10/2015 00:00

Vërshimi i emigrantëve “i ka hedhur benzinë zjarrit” të pakënaqësisë ndaj të huajve në Gjermani, duke vënë sërish në lëvizje edhe PEGIDA-n e fjetur prej disa kohësh.

Rituali i marshimeve të fillimjavës, përmes Drezdenit dhe qyteteve të tjera, po bëhej pjesë e së shkuarës, megjithatë këtë të hënë nisi përsëri me 9.000 vetë, që marshuan në kryeqendrën e Saksonisë.

Tubuesit e quajtën Angela Merkelin tradhtare, ndërsa azilkërkuesve iu referuan si “kope bagëtish”.

Europianët Patriotë kundër Islamizimit të Perëndimit nuk janë të vetmit, që po njohin ripërtëritje. Me klimën e krijuar në vend, rritje shënon edhe Partia Nacionaldemokrate e Gjermanisë, NPD.

Po të mbaheshin sot zgjedhjet në Saksoni, – thotë “Deutsche Welle”, NPD-ja do ta kapërcente pa vështirësi pragun e 5% të përfaqësimit parlamentar, e kjo i detyrohet edhe faktit, që forca politike në fjalë është duke gjetur simpatizantë në radhët e qytetarëve të qendrës.

Të gjitha partitë e ekstremit të djathtë janë duke përfituar në fakt nga situata e po tërheqin një numër aspak të parëndësishëm votuesish nga qendra.

Pak muaj më parë, Alternativa për Gjermaninë “AfD” u duk se mori fund krejtësisht, për shkak të përçarjes brenda radhëve të saj. Sot, ajo është duke përjetuar një rritje të fuqishme.

Një prej drejtuesve të saj, kryetari i partisë në Brandenburgut, Alexander Gauland është duke fituar pikë me prezantimet publike, duke përdorur një citat minimal, vetëm se të ndryshuar në kahun e kundërt: “Ne nuk duam t’ia dalim”. Duke iu referuar kështu citatit të kancelares: “Ne mund t’ia dalim”. Një referim ky ndaj pranimit të emigrantëve.

Që nga marsi i ardhshëm në landet Saksoni-Anhalt, Rheinland-Pfalz dhe Baden Vyrtemberg llogaritet të ketë zgjedhje rajonale, e tashmë është e qartë se refugjatët do të përbëjnë temën qëndrore të betejës elektorale.

Top Channel