Kosovë, policia përgënjeshtron Konjufcën; Kadaj Bujupi pranon aktin

15/10/2015 00:00

Policia e Kosovës ka reaguar pas deklaratave të shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili është shprehur se ka qenë “policia, që i ka ndihmuar në futjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës”.

Në një komunikatë për shtyp, Policia e Kosovës bën të ditur se këto deklarata nuk qëndrojnë dhe nuk janë të vërteta.

“Një deklarim i tillë ka për qëllim të krijojë konfuzion te qytetarët dhe tek opinioni i gjerë. Kjo mund të konsiderohet një luftë speciale kundër Policisë së Kosovës”, thuhet në deklaratë.

“Bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore, që ka Policia e Kosovës, janë kryer të gjitha veprimet ligjore të kontrollit ndaj të gjithë personaliteteve, duke mos hasur në asnjë element apo mjet të dyshuar”, bën të ditur më tej komunikata.

Megjithatë, policia nuk e ka hedhur poshtë mundësinë e posedimit të një elementi të tillë. “Ekziston mundësia e posedimit dhe përdorimit të gazit lotsjellës, nga mbledhja e mbeturinave plastike të mbetura nga rasti i mëparshëm nga Policia e Kosovës, por që mbetet të verifikohen të gjitha këto nga njësitet përkatëse policore, sepse mjeti plastik mund të mos jetë kapur”.

Policia e Kosovës njofton se është duke ndërmarrë veprimet e saj hetimore, drejt zbulimit sesi është futur mjeti i dyshuar në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, Donika Kadaj-Bujupi, shefe e grupit parlamentar të AAK-së ka reaguar me një deklaratë të shkurtër.

“E di se kjo që keni parë sot nuk është shfaqja më e mirë. Unë po, kam hedhur gaz lotsjellës. Kam hedhur, sepse nuk na kanë lënë rrugë tjetër. Qeveria është përgjegjëse për të gjetur zgjidhje. Ne u kemi treguar sesi gjendet zgjidhja. S’ka kuptim të vazhdohet me seanca, pa iu dhënë zgjidhje marrëveshjeve”, tha Donika Kada-Bujupi.

Top Channel