Kosovë, Delawie takohet urgjentisht me Jahjagën në Presidencë

15/10/2015 15:45

Bllokimi i Kuvendit të Kosovës nga opozita me gaz lotsjellës ka shtyrë ambasadorin amerikan në Kosovë që të zhvillojë një takim urgjent me Presidenten Atifete Jahjaga.

Diplomati amerikan u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike që të kthejnë punën  normale në Kuvend, për të miratuar projektligje që do t’u ndihmojnë qytetarëve të Kosovës të arrijnë qëllimet e tyre.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin të ardhmen e Kosovës në Europë dhe zhvillimet demokratike. Unë besoj se Parlamenti është vend i diskutimit, debatit ku mund të ketë edhe mospajtime, por jam i sigurt se Parlamenti nuk është vend për armë, dhunë dhe obstruksion. Unë inkurajoj të gjitha partitë që të marrin frymë thellë dhe të pyesin veten se nëse veprimet e tyre janë duke kontribuar në të ardhmen e Kosovës si një demokraci europiane apo shtet që rrezikon izolimin. Unë dua të inkurajoj të gjitha palët që të gjejnë një mënyrë që të ndihmojnë Parlamentin, themelin e demokracisë së Kosovës, që të kthehet në normalitet”, u shpreh ambsadori amerikan.

Ndërprerja e seancës u pasua nga një mbledhje e Kryesisë dhe pas saj, kryetari i Kuvendit ka dalë në një konferencë për të dënuar veprimet e deputetëve opozitarë.

“Tërë ky tension, deri tani, është mbajtur në Kuvend për arsye shtetërore dhe shmangien e konfrontimeve. Por, po shihet se kjo nuk po mirëkuptohet nga opozita. Kuvendi i Kosovës është duke u keqpërdorur nga pakica opozitare. E dimë gjendjen e krijuar dhe synimet e opozitës. Argumentet e saj janë të padrejta dhe të paqëndrueshme. Kuvendi është vendi ku ata duhet të shprehin çdo pakënaqësi dhe kundërshti të tyre, në mënyrë demokratike dhe jo me veprime joligjore. Sjellja e deritanishme e tyre po e cenon këtë mundësi dhe ngulfatë demokracinë”, deklaroi Kadri Veseli.

Veseli ka ftuar të gjithë faktorët politikë që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës dhe funksionimit normal të institucioneve.

Ndërkohë, përmes një komunikate për media të lëshuar nga Kuvendi, bëhet e ditur se Kryesia do të mblidhet sërish të hënën e javës së ardhshme për të vendosur datën e vazhdimit të seancës së ndërprerë nga opozita.

Për zhvillimet në Kuvend të enjten ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës e cila dënon ashpër përdorimin e gazit lotsjellës.

“Qeveria i konsideron sjellje të papërgjegjshme dhe në shpërputhje me çdo kod etik, moral dhe praktikë demokratike, veprimet e kundërligjshme dhe anarkike që përfaqësuesit e pakicës politike po ushtrojnë ndaj institucioneve dhe të zgjedhurve të popullit, duke përdorur mjete luftarake, me qëllim që të pengojnë funksionimin normal të shtetit të Kosovës”, thuhet në reagim.

Top Channel