Ngjarjet në Kuvendin e Kosovës, KMDLNj: Veprimet e opozitës, të dhunshme

15/10/2015 16:50

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar në lidhje me ngjarjet që kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës.

KMDLNj përsëriti qëndrimin se përdorimi i gazit lotsjellës, nga cilado palë, është veprim i dhunshëm që për pasojë e ka rrezikimin e shëndetit për të gjithë të pranishmit, ndërsa për ata me sëmundje kronike paraqet rrezik edhe për jetën e tyre.

“Përkundër masave të shtuara të sigurisë dhe kontrollit, gazi lotsjellës u fut në hapësirat e Kuvendit për t’u aktivizuar në kohën kur parashihej fillimi i seancës”, thuhet në reagimin e KMDLNj.

“KMDLNj vlerëson se nuk ka masa sigurie apo kontrolli që mund të përdoren e që do të pengojnë futjen e gazit lotsjellës në Kuvend prandaj -siç thuhet në reagim- është e parëndësishme se kush e futi gazin lotsjellës brenda apo kush e aktivizoi për faktin se opozita po vepron e sinkronizuar mirë dhe nuk po fshihet pas këtyre veprimeve, por po e bënë në mënyrë të hapur dhe shumë transparente”.

Deri më tani, Kryesia e Kuvendit, kryetari e as vetë deputetët nuk po gjejnë zgjidhje për këtë situatë, prandaj KMDLNj pati propozuar që Presidentja e Kosovës të shfrytëzojë mandatin dhe detyrimin kushtetues për të garantuar funksionalitetin e institucioneve të Kosovës të cilat nuk mund të funksionojnë pa një punë normale të Kuvendit të Kosovës.

“KMDLNj vlerëson se nuk duhet të thirret seanca e ardhshme e Kuvendit të Kosovës pa u krijuar kushtet, qoftë përmes marrëveshjes pozitë-opozitë, ndërhyrjes së Presidentes së Kosovës apo ndonjë formë tjetër që e përjashton dhunën, si mjet i zgjidhjes së problemit”, përfundon deklarata e KMDLNj-së.

Top Channel