BE-Turqi, arrihet marrëveshja për emigrantët

16/10/2015 04:00

Bashkimi Europian dhe Turqia kanë arritur marrëveshjen për lehtësimin e krizës së emigrantëve në Samitin e Brukselit të mbajtur gjatë së enjtes.

Në një konferencë për shtyp në Bruksel, Donald Tusk, Presidenti i Këshillit Europian, tha se ka një “optimizëm të përmbajtur” mbi marrëveshjen e arritur.

Në Samit është rënë dakord për shpejtimin e liberalizimit të vizave për Turqinë, si dhe hapjen e kapitujve të rinj në negociatat e anëtarësimit për Turqinë në BE.

Turqia kërkoi gjithashtu nga BE 3 miliardë euro ndihmë, ndërsa për këtë kancelarja gjermane Merkel tha se shtetet e BE-së janë duke e shqyrtuar.

Jean-Claude Juncker, Presidenti i Komisionit Europian, tha se bisedimet mbi shumën e parave që do t’i jepen Ankarasë do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme. Ndërsa gjatë fundjavës do të udhëtojë në Turqi edhe Merkel. “Ka ende shumë detaje për të diskutuar, por nuk mund të themi nuk kemi arritur asgjë”, tha Merkel.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, gati 600 mijë emigrantë kanë arritur në vendet e Bashkimit Europian vetëm gjatë këtij viti, shumë prej tyre udhëtojnë nga Turqia për në Greqi para se të kërkojnë për t’u strehuar në veri.

Ndërkohë, nga raportimet e fundit thuhet se një shtetas afgan është qëlluar për vdekje në tentativë për të kaluar në Bullgari, gjatë orëve të vona të së enjtes. Sipas “AFP” që ka cituar ministrinë e Brendshme Bullgare, ai ishte pjesë e një grupi të madh emigrantësh që përpiqen të hyjnë në Bullgari.

Top Channel