Loja me “Ballistin” mbaroi!

16/10/2015 00:00

Arben Manaj – Ballist Morinaj, i cili ndodhet në qelinë e burgut në Tiranë për armëmbajtje pa leje, në një vend ku shumica e shqiptarëve kanë armë pa leje dhe nuk janë nëpër burgje, jam i sigurt që do të donte më mirë të ishte kapur atë natë tetori në Beograd e të përfundonte në burg, e të ishte akoma më shumë nga sa është hero sesa të arrestohej në Tiranë e të katandisej, siç është fatkeqësisht, në një delikuent dhe antihero.

Nuk jam pjesë e atyre naivëve që besojnë se Ismail Morinaj u kap me armë rastësisht, e që shteti ka bërë mirë që e ka rrasur brenda, në emër të një puritanizmi të stisur legal e etatist!

Thellësisht besoj se arrestimi i tij ishte një akt i përkryer dhe i përgëzueshëm PR-i të munguar, por që ishte ideuar me mjaft elegancë nga autoritetet shqiptare, në prag të një ndeshjeje vendimtare, nën një mbikëqyrje të shtuar ndërkombëtare mediatiko-politike, për të parë se sa në gjendje do të ishin autoritetet e Tiranës të mos bënin atë që bënë ose toleruan homologët e tyre në Beograd një vit më parë.

Thellësisht nuk besoj, po ashtu, siç thotë Berisha, se arrestimi i tij ishte një koordinim dhe kërkesë e Beogradit ndaj Ramës!

Si gjest i mirëfilltë diplomatiko-propagandistik, edhe pse pa paralele me huliganët serbë apo ndonjë person me rrezikshmëri të lartë serbe, arrestimi i “ballistit” tonë Ismail Morinaj, tashmë e ka kryer funksionin e ideuar.

Nuk mund të them nëse ishte e koordinuar me vetë Morinajn një akt i tillë, por gjithsesi edhe nëse jo, mosprania e tij në takimin e Elbasanit, madje larg atij qyteti, ndihmoi në fitoren e asaj që tashmë po cilësohet qytetaria dhe epërsia jonë folkloriko-hipotetike ndaj serbëve.

Këtu mbaron loja me Ballistin.

Pa bërë partizanllëk ndaj një “ballisti” sportiv, nuk mund të honeps dot pretendimet se arrestimi i tij do të duhet të vazhdojë në emër të barazisë ndaj ligjit apo bërjes së shtetit në atë shtetin tonë copë-copë, por në drejtimin e duhur gjithsesi.

Parimisht, dhe në një situatë apo rrethanë normale, Ismail Morinaj, që të jem i sinqertë me veten, nuk besoj se duhet trajtuar si Zani Çaushi apo ndonjë eksponent i krimit shqiptar, pasi nuk është i tillë. Edhe nëse ka pasur armë me vete, që gjithsesi, në parantezë, është veprim i dënueshëm nga ligji, sërish në kontekstin shqiptar, ai nuk është i vetmi shqiptar që ka armë dhe arrestimi i tij, në atë ditë dhe në atë pragndeshje, pas një informacioni të marrë nga autoritetet shtetërore, është pak si shumë koincidencë për të qenë koincidencë.

Koklavitja ligjore për nxjerrjen e tij nga qelitë, për një vepër si armëmbajtja, armë e cila nuk është se është përdorur në një tentativë për të kryer një krim më të rëndë, deri te tentativa për të vrarë dikë, e kapur në flagrancë, sesa një përpjekje për vetëmbrojtje në rrethana specifike personale, për shkak të rrezikshmërisë që i kanosej si individ, për atë që kish bërë dhe simbolizonte, rrezikshmëri që në fakt shtyu autoritetet shtetërore të justifikonin shumë masa skanuese alla aeroportuale në emër të qytetarisë, pra kjo koklavitje nuk është e lehtë për t’u shkoklavitur.

Me një vullnet dhe mirënjohje, drejtësia shqiptare, e cila nuk është se shquhet për drejtësi të kulluar, sesa për hije të forta dyshimi, si në vendimet e fundit të bujshme, rasti Fullani e shumë të tjera përpara tij, do të mund të jetë me leniente për një person, i cili nuk ka pasur kurrë precedentë penalë, si dhe për atë që përfaqëson publikisht që prej një viti.

Padyshim, të gjithë do të duhet të jenë të barabartë, por me atë që ai bëri (e që për shumicën dërrmuese të shqiptarëve është hero, sepse ata që e quajtën të tillë u ndien emocionalisht shqiptarë, kur panë atë flamur mbi Beograd), dëshmoi se nuk ishte si të tjerët ose kishte kontribuuar argumentueshëm, më shumë se ne të tjerët në atë rrethanë, dhe në atë rrethanë i vetëm. Dhe kjo është e vetëkuptueshme.

Sikurse ndodh shpesh në thuajse çdo vend të botës, ka politika sportive dhe sporti ngërthehet me politikën e anasjelltas, e secila i shkel syrin njëra-tjetrës, pasi nuk është fundi i botës.

Kujtoj në Angli disa vite më parë, kapiteni i atëhershëm, në mos gaboj, i kombëtares angleze, Stivën Zherard, ylli i Liverpulit u zu dhe sulmoi fizikisht një qytetar në një pab, një vepër e dënueshme me ligj, si edhe armëmbajtja e Ballist Morinajt, e sërish për “arsye shtetërore”, ai doli pa lagur dhe çështja u mbyll.

Nuk besoj se ka ndonjë të çmendur të pretendojë se drejtësia shqiptare nuk mund të bjerë në nivelin e asaj anglosaksone!!! Ismail Morinaj është një rast unikal dhe Shqipëria me të fitoi pikë politike e sportive. Andaj, kemi një detyrim moral ndaj tij si komb, detyrim që jam i sigurt do të mbështetej nga shumica dërrmuese e shqiptarëve-partizanë të “ballistit”.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel