“CEZ”, PD: Hetimi do të bëhet, përgjegjësit do të dalin

16/10/2015 12:45

Partia Demokratike këmbëngul në kërkesën e saj për hetim ndërkombëtar të skandalit të CEZ-it dhe vazhdon t’i qëndrojë mendimit se tërheqja nga Arbitrazhi përmes marrëveshjes së arritur me kompaninë çeke për zgjidhjen me mirëkuptim të kontestit, i shkaktoi qytetarëve shqiptarë një dëm prej 2 miliardë eurosh.

Deputeti demokrat, Edmond Spaho, në një dalje për mediat shprehu vendosmërinë e opozitës për hetimin ndërkombëtar të çështjes, pavarësisht, siç tha ai, përpjekjeve për ta mbyllur këtë aferë nga ana e mazhorancës.

“Çdo faktor jashtë këtij pakti e denoncojnë skandalin më të madh financiar të vendit, vetëm për Edi Ramën kjo është një marrëveshje e mirë. Hetimi do të bëhet dhe do të zbardhet. Këto para janë mundi, djersa dhe gjaku i shqiptarëve, janë para që u takojnë shqiptarëve dhe që u janë marrë me dhunë nga Edi Rama. Nuk kanë për ta mbyllur me dhunë këtë aferë. Paratë do të gjenden dhe përgjejgësit do të shkojnë para ligjit”, tha Spaho.

Partia Demokratike, tha Spaho, denoncoi më 31 korrik 2014 marrëveshjen e arritur, ndërsa përsëriti qëndrimin e shprehur edhe nga kryetari Basha se avokatët i rekomanduan Edi Ramës jo vetëm që të mos falë 600 mln eurot, por se ekzistonin rrethanat për të fituar 2 mld euro nga CEZ në arbitrazh.

Top Channel