Pritet zgjerim i fushatës ruse në Siri

16/10/2015 12:55

Dy javë pas nisjes, sulmet ajrore ruse në Siri vazhdojnë që të shtohen, ndërsa koordinohen nga afër me forcat e regjimit sirian në terren, ndërsa këto të fundit përpiqen të marrin territorin nga duart e rebelëve.

Sipas analistëve, fushata ruse do të intensifikohet edhe më shumë dhe shumë prej tyre sugjerojnë se muaji i ardhshëm do të jetë kritik, politikisht dhe ushtarakisht. Deri tani, Rusia ka qenë në gjendje të furnizojë përpjekjen e saj në Siri me një sërë avionësh transporti, por ndërsa fushata ruse zgjerohet, furnizmi do të shndërrohet në një makth logjistik, pasi gjithçka që përdor në luftë, Rusia e dërgon nga larg, nga Novorosiksi dhe Sevastopoli. Kështu që, Rusia kërkon të arrijë rezultate sa më të shpejta pa u bërë fushata e papërballueshme, ndërsa flitet se Rusia po mendon që të dërgojë edhe aeroplanmbajtësen e saj të vetme në Mesdhe për të lehtësuar përpjekjet.

Rusët po riparojnë pistat që përdorin në Siri për të shtuar numrin e avionëve dhe helikopterëve në betejë dhe rrjedhimisht numrin e sulmeve, një tjetër tregues për përshkallëzimin dramatik që pritet. Presidenti rus Vladimir Putin tha se fushata ajrore nuk do të jetë pa fund, por me afat, ndërsa ushtria siriane përparon në tokë dhe kjo në fakt tregon se përshkallëzimi i sulmeve është një nevojë për Moskën, pasi surpriza e sulmeve ajrore nuk mund të zgjasë pa fund ndaj armiqve.

Një tjetër arsye që e bën Moskën të nxitojë është samiti i G20 muajin e ardhshëm në Turqi, ku Putin tha se do të marrë pjesë. Qëllimi rus është që të tregojë se fushata në Siri po funksionon dhe kjo i jep një rol vendimtar në hartimin e çdo zgjidhjeje të ardhshme politike në këtë vend. Eskpedita siriane do të japë rezultat për Moskën vetëm nëse e rikthen vendin në tryezën e negociatave dhe Putin e di këtë shumë mirë. Analistët ndërkohë thonë se SHBA duhet ta lejojë liderin e Kremlinit që të zbulojë personalisht sa e vështirë është të ndikosh në fushëbetejën siriane.

Në fund të fundit, siç tha dikur edhe Napoeleoni, kur armiku yt po bën një gabim, mos e ndërprit.

Top Channel