Arrestohet pirati kosovar, i dha të dhëna sekrete ISIS-it

16/10/2015 13:05

Policia malajziane ka vënë në pranga një të ri shqiptar nga Kosova me akuzën e vjedhjes së të dhënave kompjuterike e kalimit të informacioneve që kishin të bënin me zyrtarë amerikanë të sigurisë tek militantët e grupit më të rrezikshëm ekstremist të momentit, Shtetit Islamik.

I riu, tek të 20-at, është ndaluar më 15 shtator, sipas njoftimeve të zyrtarëve  vendas.

Shtetet e Bashkuara e kanë identifikuar si Ardit Ferizi, drejtuesi i një grupi hakerash të vetëquajtur “Kosova Hacker’s Security” (KHS). Ferizin, sipas BBC-së, e pret ekstradimi në Amerikë.

Burime nga Departamenti i Drejtesisë pohuan se ai ka hyrë në sistemet e një kompanie amerikane me qëllimin të merrte të dhënat personale të 1.351 pjesëtarëve të stafit ushtarak e atij qeveritar amerikan.

Aktpadia e përgatitur për të riun kosovar është hakerim kompjuterik dhe vjedhje identiteti. Dënimi maksimal që rrezikon ai është 35 vite burg.

Ferizi rezulton të ketë hyrë në Malajzi vitin që shkoi për të studiuar shkenca kompjuterike në Kuala Lumpur. Ndërmjet periudhës qershor-gusht të këtij viti, ai besohet t’ia ketë kaluar informacionet e përftuara një anëtari të ISIS-it, Junaid Hussain, i njohur dhe si Abu Hussain al-Britani. Më vonë, Al Britani i postoi të dhënat online bashkë me kërcënimet se personat e ekspozuar do të viheshin në shënjestër që të gjithë.

Hetimet paraprake tregojnë se i dyshuari ka komunikuar me një eksponent të rëndësishëm të ISIS-it në Siri. Biseda është përqendruar tek depërtimi në serverat që përmbanin informacione të detajuara mbi personelin amerikan të sigurisë, thuhet në deklaratën e policisë malajziane, ku sqarohet gjithashtu se të dhënat i janë transferuar njësisë operacionale të ISIS-it për aksione të mëtejshme.

Aktiviteti i Ferizit si pirat kompjuterik duket se ka qenë i njohur në Kosovë, të paktën për disa media vendase si gazeta Ekspres, që thotë se ka pasur prej kohësh probleme nga i riu i arrestuar në Malajzi për krime kibernetike, i cili duket se sulmonte faqen e saj sa herë shfaqej ndonjë artikull për persona që i bashkoheshin luftës në Siri.

Top Channel