Rrëshqitjet e dheut bllokojnë rrugët në Los Anxheles

16/10/2015 13:20

Shirat e dendura shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje masive dheu në komunitetet e Los Anxhelesit verior, duke përmbytur makina dhe duke izoluar dhjetëra drejtues mjetesh në rrugë. Autoritetet amerikane mbyllën disa nga rrugët kryesore të zonës, ndërsa ekipet e emergjencave u angazhuan në shpëtimin e njerëzve në nevojë.

Autoritetet bënë me dije se brenda pak orësh ranë me dhjetëra centimetra shi që shkaktuan probleme serioze. Dëshimtarë okularë dhe njerëz që i shpëtuan për mrekulli përmbytjeve treguan për tmerrin që kaluan. Disa prej tyre thanë se u gjendën befasisht të rrethuar nga dheu dhe gurët, ndërsa lumi i baltës merrte me vete makinat që gjendeshin në rrugë sikur të ishin prej letre.

Autoritetet bënë me dije se dhjetëra zjarrfikës u angazhuan në operacionet e shpëtimit dhe shumë njerëz u nxorrën nga makinat e tyre të bllokuara mes baltës. Fatmirësisht, nuk ka raporte për viktima apo të humbur, ndërsa metereologët paralajmërojnë për reshje të tjera dhe rrezikun ende të pranishëm të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.

Top Channel