Jeruzalem, Këshilli i Sigurimit në OKB përgatit mbledhjen urgjente

16/10/2015 14:10

Këshilli i Sigurimit i OKB-së përgatitet për një mbledhje urgjente mbi spiralen e dhunës në Jeruzalem, ku vetëm dy javët e fundit janë vrarë në sulme me thika e të shtëna armësh 32 palestinezë e 7 izraelitë.

10 vetë që kishin me vete armë të ftohta janë qëlluar për vdekje nga policia e shtetit hebraik. Mes përshkallëzimit të beftë të tensioneve, grupe të rinjsh palestinezë i vunë flakën një vendi të shenjtë hebre në Nablus të Bregut Perëndimor, një varri që izraelitët besojnë se i përket figurës biblike të Jozefit.

Ndërhyrja e zjarrfikësve qe e menjëhershme dhe flakët u fashitën shpejt, por objekti është dëmtuar keqas.

Incidentet nga të dyja palët këtë muaj kanë qenë thuajse të përditshme. Atmosfera, në dukje e qetë, por në thelb gjithmonë e ngarkuar mes dy palëve, shpërtheu në shtator me përplasjet në xhaminë al-Aksa, vendi i tretë më i shenjtë i Islamit. Disa orë përpara sulmit në Nablus, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu i bëri thirrje presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, të ndalonte atë që e cilësoi “nxitje të dhunës”.

Abas u përgjigj se faji për këtë valë të re trazirash rëndon mbi pushtimin izraelit të territoreve palestineze dhe agresionin e shtetit hebre. Hamasi nga Gaza e shpalli këtë të sotmen ditë të zemërimit në Jeruzalemin lindor e Çisjordani. Që situata nuk do të qetësohet shpejt, kjo tashmë është e qartë: organizatat palestineze kanë bërë thirrje për demonstrata në Rripin e Gazës  e Bregun Perëndimor, të cilat të koinçidojnë me lutjet e së premtes. Policia izraelite nga ana tjetër vendosi që për arsye sigurie, hyrja në malin e tempullit, vendi i shenjtë i rëndësishëm si për Judaizmin, ashtu dhe për Islamin, t’iu lejohet vetëm meshkujve mbi 40 vjeç.

Top Channel