OSHEE, skemë e re lehtësuese për pagesën e debisë së energjisë

16/10/2015 14:40

OSHEE ka rikthyer skemën lehtësuese për shlyerjen e debisë së energjisë elektrike për konsumatorët, duke përfshirë në reduktimin e kamatvonesës edhe institucionet private dhe ato buxhetore.

Në ndryshim nga skema e parë, në akt marrëveshje mund të përfshihen konsumatorë që kanë akumuluar debi deri në 31 korrik 2015 ndërsa këstet nuk do të jenë fikse por sipas fashos së debisë.

“Në rast se familjari e paguan të gjithë detyrimin njeherësh, i ulet kamatvonesa me 70%. Dhe në rast se abonenti do të paraqitet brenda 6 muajve nga firmosja e aktmarrëveshjes për paguar detyrimin atëhere do të përfitojë 50% të reduktimit të kamatës në datën e mbylljes së detyrimit”, tha Ardian Çela.

Pagesë me këste sipas masës së detyrimit dhe reduktim të kamatvonesës me 50 për qind mund të përfitojnë edhe privatët e lidhur në tensionin e ulët dhe institucionet buxhetore.

Kreu i OSHEE thotë se lidhja e aktmarrëveshjes është e vlefshme deri në 31 dhjetor dhe në të mund të futen edhe konsumatorë që janë të përfshirë në skemën e parë lehtësuese. Sipas OSHEE numri aktual i abonentëve debitorë familjarë është 105 mije ndërsa i bizneseve rreth 20 mijë debitore.

Top Channel