Pezullohet pedagogu i denoncuar në Fiks Fare për korrupsion

16/10/2015 15:20

Senati i Universitetit të Shkodrës vendosi mesditën e së premtes me votë unanime pezullimin nga detyra të pedagogut Fran Qafa.

Vendimi është marrë pas transmetimit prej dy ditësh në emisionin “Fiks Fare” të fakteve sesi pedagogu jepte provimet në shkëmbim të parave.

Në një deklaratë të Senatit të Universitetit të Shkodrës thuhet se “raste të tilla janë një dukuri e shëmtuar, që nuk kanë asgjë të përbashkët me proceset integruese dhe përpjekjet maksimale që po bën Universiteti për të përmirësuar produktivitetin në funksion të studentëve”.

“Programi ynë ka si synim kryesor qendërsinë e studentit. Sfida jonë është të rrisim cilësinë e të diplomuarve dhe t’i orientojmë ata saktë në tregun e punës”, thuhet në deklaratë.

Deklarata mbyllet me ftesën qe studentët si dhe të gjithë qytetarët, të jenë pjesë e luftës kundër korrupsionit dhe të denoncojnë pa frikë raste të tilla.

Top Channel