Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë ka njoftuar se nuk do marrë pjesë në bisedimet mes katër partive për daljen vendit nga kriza politike, derisa nuk respektohet dhe zbatohet Ligji për prokurori publike speciale dhe përderisa nuk zgjidhen prokurorët e propozuar prej Prokurores Speciale.

“Këshilli i prokurorëve publikë ka për detyrë të respektojë ligjin dhe t’i mundësojë prokurorit publik special ta kompletojë ekipin e bashkëpunëtorëve në pajtim me autorizimet ligjore”, ka njoftuar partia më e madhe opozitare maqedonase, LSDM.

LSDM-ja opozitare kërkon takim urgjent të katër partive dhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare për, siç theksojnë nga kjo parti, shkeljen e Ligjit për prokurori publike speciale dhe konfirmim të afateve për përmbushjen e detyrimeve ligjore.

“Është në interes të së ardhmes dhe perspektivës së Republikës së Maqedonisë, t’i mundësohet prokurores publike të punojë e pavarur në pajtim me autorizimet ligjore”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.

Top Channel