Vetëvendosje, kundër tryezës së dialogut me qeverinë

16/10/2015 00:00

Lëvizja Vetëvendosje nuk dëshiron të marrë pjesë në një tryezë diskutimi me Qeverinë, për sa kohë kryeministri Isa Mustafa vazhdon të këmbëngulë se nuk do të ndryshohen marrëveshjet me Serbinë.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, gjatë një konference për media tha se do të diskutojnë me pozitën, vetëm në rast se bëhet e mundshme rishqyrtimi i marrëveshjes për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Ne do të ishim të gatshëm të bisedonim me Qeverinë e Kosovës, vetëm në rast se shohim, që tema e diskutimit formohet në drejtim të rikonsiderimit të marrëveshjeve. Në momentin, që Qeveria e Kosovës deklaron ‘ejani në një takim, të bisedojmë sesi asnjë presje nuk mund t’u hiqet marrëveshjeve me Serbinë’, atëherë ne i themi vetëm ‘Jo, faleminderit’. Nuk kemi nevojë për tryeza të tilla, sepse ato janë për të legjitimuar pozicionin e Qeverisë”, tha Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të VV-së.

Gjatë kësaj konference, Vetëvendosje ka shpalosur edhe disa harta, me anë të të cilave treguan sesi Kosova po humbet ende territore me marrëveshjen e Brukselit.

Top Channel