Flet babai i piratit kosovar të dyshuar si të lidhur me ISIS

16/10/2015 00:00

Gjatë një konference për shtyp gjatë kësaj të premteje, Policia e Kosovës pranon se ka pasur informacione për të riun, që është arrestuar për pirateri kompjuterike në favor të ISIS-it në Malajzi, por nuk është kompetencë e policisë, që të flasë për të tilla informacione publikisht.

Ndërkohë, prindërit e të arrestuarit i kanë thënë një portali kosovar se janë të habitur me këtë arrestim, pasi ata janë një familje proamerikane. Babai i Ardit Ferizit, inxhinieri Naim Ferizi nga Gjakova, ka thënë se djali i tij nuk ka të bëjë fare me ISIS-in.

“Djali im është arrestuar më 15 shtator. Ky lajm, që ka dalë sot në media, na ka tmerruar familjarisht. Djali im mund të jetë gjenial në shkencat kompjuterike, por nuk mundet të hyjë në sistemin e shtetit më demokratik dhe më të sigurt në botë, për të marrë informacione”, ka thënë Naim Ferizi për portalin “kallxo.com”.

Ai ka shtuar gjithashtu se, familja e tij “nuk ka kurrfarë lidhje” me ISIS-in, ndërsa foli me admirim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jemi një familje tradicionale shqiptare, e shkolluar. Jemi pro shtetit të Amerikës dhe aplikojmë çdo vit për ‘Green Card’”, tha Naim Ferizi, duke iu referuar programit vjetor të qeverisë amerikane për shtetasit e huaj.

“Pas arrestimit të djalit, kemi kontaktuar dy herë me të dhe ka qenë e planifikuar që ai të lirohej, por më tej nuk e dimë çfarë ka ndodhur”, ka thënë Ferizi. Ai u shpreh se, të hënën planifikon të shkojë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, “që të japë versionin e vërtetë” të familjes dhe djalit të tij.

“Është e vërtetë që djali im, prej moshës 15-vjeçare ka pasur probleme me policinë, për shkak se ka ndërhyrë në disa faqe interneti në Kosovë. Por unë nuk besoj se ai është aq gjenial, sa të rrezikojë sigurinë kombëtare të Amerikës”, ka thënë ndër të tjerash Naim Ferizi.

Top Channel