Kosovë, kreu i Komisionit të Venecias viziton Kushtetuesen: Duhet të jetë e pavarur

16/10/2015 00:00

Kryetari i Komisionit të Venecias ka vizituar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, ku ka deklaruar se ajo duhet të jetë e pavarur nga institucionet e tjera të vendit, në mënyrë që ta kryejë punën e saj siç duhet.

Gjatë takimit me kryetaren Arta Rama-Hajrizi, kryetari i Komisionit të Venecias tha se Gjykata Kushtetuese nuk duhet t’i nënshtrohet presioneve apo kërcënimeve nga organet e tjera shtetërore.

“Gjykata Kushtetuese është garantuese e të drejtave të njeriut dhe e Kushtetutës. Kështu që është shumë e rëndësishme, që kjo gjykatë të funksionojë mirë. Kjo do të thotë se, pavarësia e Gjykatës Kushtetuese duhet të njihet, të pranohet, në mënyrë që anëtarët e saj të kryejnë detyrën e tyre siç duhet. Pavarësisht se cila parti i ka zgjedhur gjykatësit e saj, ata duhet t’i ushtrojnë funksionet e tyre në pavarësi të plotë. Gjykata Kushtetuese nuk duhet t’i nënshtrohet presioneve apo kërcënimeve nga organet e tjera shtetërore”, tha Gianni Buquicchio, kryetari i Komisionit të Venecias.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Rama-Hajrizi tha se, në takim me kreun e Komisionit të Venecias kanë diskutuar për vendimmarrjen e deritanishme të gjykatës, por edhe për sfidat që e presin.

“E njoftova për çështjen e plotësimit me gjyqtarë të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, e cila është në proces e sipër dhe për të cilën pajtohemi të dyja palët. Kjo duhet të bëhet sa më shpejt, që të sigurojmë qëndrueshmërinë e këtij institucioni dhe, në vazhdën e takimeve që do të kemi sot me krerët më të lartë të institucioneve, së bashku të përçojmë mesazhin sesa është e rëndësishme Gjykata Kushtetuese, gjyqësia kushtetuese dhe pavarësia e saj në vendimmarrje”, tha Arta Rama-Hajrizi, kryetare e Gjykatës Kushtetuese, Kosovë.

“Vendet e lira për gjyqtarë duhet të plotësohen sa më shpejt, sepse është e paperceptueshme, që Gjykata Kushtetuese të bllokohet për shkak të mungesës së kuorumit. Kjo do ta bllokonte krejt shtetin. Për këtë arsye, i propozova kryetares së kësaj gjykate dhe do t’i propozoj edhe organeve e autoriteteve të tjera në këtë vend se, Komisioni i Venecias është i gatshëm të bashkëpunojë për t’i shmangur këto bllokime”, tha Gianni Buquicchio, kryetari i Komisionit të Venecias.

Komisioni i Venecias ka rëndësi të madhe në ndërtimin dhe drejtimin e drejtësisë kushtetuese, kudo në botë, ndërsa Kosova është anëtarësuar në këtë komision kohët e fundit.

Top Channel