Gazi lotsjellës, policia: Deputetët e opozitës mund të kallëzohen penalisht

16/10/2015 00:00

Deputetët e opozitës, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi, të cilët hodhën gaz lotsjellës një ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, mund të përballen me kallëzim penal.

“Këto dy thirrje janë refuzuar në të gjitha adresat, ku ne i kemi dërguar, apo më saktë në ato adresa që kemi pasur në dispozicion. Ne e kemi realizuar punën tonë, iu kemi dërguar atyre thirrjet, të cilat janë refuzuar. Tashmë na mbetet që të njoftojmë Prokurorinë kompetente për këtë dhe prokurorët më pas të lëshojnë ndoshta urdhërarrest, apo çfarëdo lloj gjëje që pritet prej tyre, e që ne jemi të detyruar ta zbatojmë”, tha Baki Kelani, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës.

Lidhur me futjen e gazit brenda ndërtesës së Kuvendit, përkundër kontrollit të shtuar nga Policia e Kosovës, Kelani tha se lënda në fjalë ka përbërje plastike dhe mund të jetë futur nga deputetët, pasi është vështirë të kapet nga skanerët e kontrollit.

Ndërkohë, në këtë konferencë, policia njoftoi se të premten është arrestuar një person i dyshuar për sulmin me mjete të hekurta ndaj eskortës së kryeministrit, më 23 shtator. Personi në fjalë është Trim Gashi, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e ka cilësuar si rrëmbim arrestimin e tij.

“Mund të konfirmojmë se, Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person, i cili ka qenë i dyshuar dhe mbetet i dyshuar për sulmin e bërë ndaj eskortës së kryeministrit, më 23 shtator. Ky person dyshohet të jetë përfshirë në atë rast penal sulmit dhe, për këtë arsye, është ndaluar sot nga forcat tona”, tha më tej Baki Kelani.

Lëvizja Vetëvendosje e kishte mohuar këtë më herët këtë sulm.

FOTO GALERI
1/1
Trim Gashi, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje

Top Channel