KE, 7 komisionerë mblidhen më 21 tetor; pak shanse për paketën e zgjerimit

16/10/2015 18:10

Shtatë ndër 28 anëtarët e Kolegjit të Komisionerëve të BE-së do të jenë në Spanjë të mërkurën e ardhshme, më 21 tetor, ku, pas shtyrjes fillestare, pritej miratimi i paketës së zgjerimit në mbledhjen e radhës, menjëherë pas samitit europian që do të ketë në fokus mbrojtjen e kufijve, refugjatët dhe Turqinë, një vend kandidat që përmendet më së shumti si preteksti kryesor për shtyrjen e mëtejshme të datës së publikimit.

As këtë të premte, kryezëdhënësi i Komisionit Europian nuk ishte në gjendje të jepte një datë të qartë për publikimin zyrtar të raporteve vjetore të progresit për vendet e përfshira në procesin e anëtarësimit me BE-në.

“Komisioni publikon raportet e zgjerimit rreth kësaj periudhe të vitit dhe i publikon ato në momentin kur sigurohet se, me miratimin dhe paraqitjen e tyre, merret vëmendja e plotë e medias dhe publikut, siç e meritojnë këto raporte. Kështu që presidenti do ta gjykojë këtë moment bazuar mbi këtë kriter dhe më pas, ju do të informoheni sipas rrethanave”, ka deklaruar Margaritis Schinas.

Pjesëmarrja në kongresin statutor të partive të djathta europiane konfirmohet zyrtarisht për presidentin luksemburgas Jean-Clade Juncker, komisionerin austriak për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, komisioneren bullgare Kristalina Georgieva, finlandezin Jyrki Katainen, letonezin Valdis Dombrovskis, hungarezin Tibor Navracsics, ndërkohë që edhe portugezi socialist Carlos Moedas ndodhet në Madrid ato ditë, por jo për takimin e PPE-së.

Pas dy javësh, Kolegji mban në Strazburg mbledhjen e fundit të tetorit, por zgjerimi diskutohet për t’u përfshirë në axhendën e mbledhjes së radhës në Bruksel, më 4 nëntor.

Top Channel