UEFA, Villar komandohet në vend të Michel Platini

16/10/2015 00:00

Angel Maria Villar do të jetë përkohësisht në krye të UEFA-s. Presidenti i Federatës spanjolle të Futbollit do të qëndrojë në vendin e Michel Platinisë, të pezulluar nga ana e FIFA-s.

Lajmi u zyrtarizua këtë të premte, pas mbledhjes së jashtëzakonshme që u zhvillua në selinë e institucionit më të lartë të futbollit europian.

Ajo që vlen të theksohet është se, Villar do të jetë vetëm në rolin e administratorit të UEFA-s, duke qenë se Platini e ka apeluar vendimin e marrë kundër tij. Ajo që duhet të bëjë në vazhdim Villar, është konsultimi me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s për çdo vendim, që ai do të marrë gjatë periudhës që do të qëndrojë në këtë detyrë.

Michel Platini u pezullua nga FIFA për 90 ditë, nga të gjitha aktivitetet, për shkak të përfshirjes së tij në skandalin e FIFA-s. Javët e fundit u zbulua se, Sepp Blatter kishte derdhur për llogari të francezit një shifër prej dy milionë frangash zvicerane, ndërsa Platini pretendon se kjo shumë është shpërblim për një punë të kryer në favor të FIFA-s.

Top Channel