Kosovë, nga e shtuna nis rigjallërimi i Urës së Ibrit, Mitrovicë

16/10/2015 00:00

Pas 48 orë shtyrjeje, zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar se, rigjallërimi i urës së Ibrit në Mitrovicë dhe hapësirës përreth saj do të nisë pasditen e së shtunës, më 17 tetor, ashtu siç ishte paralajmëruar.

Ky është procesi i shumëpërfolur, që pritet të çojë në heqjen e barrikadave mbi këtë urë, por që pritet të zgjasë në kohë, në kuadër të një rikonstruksoni të mbikëqyrur nga BE.

Kontraktuesi i BE-së do të mbyllë të dy anët e urës me barriera dhe vendin e ndërtimit me gardh. Punët ndërtimore në këtë urë do të kryhen, duke iu qasur vendit të punimeve përmes rrugës nga ana jugore.

Gjatë kohës së rigjallërimit, njëra anë e urës do të ketë qasje për kalimtarët, thuhet në njoftimin e zyrës së BE-së.

Samuel Zhbogar, shefi i kësaj zyredhe përfaqësues special i BE-së në Kosovë, ka lavdëruar durimin e të dyja palëve, duke veçuar kryetarët Agim Bahtiri e Goran Rakiç për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë ditëve të kaluara.

Diskutimet për Memorandumin e mirëkuptimit për planet zhvillimore komunale, hartën komunale të zonave dhe planin e detajuar rregullativ, ende po vazhdojnë.

Përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me këto dy komuna gjatë gjithë procesit, për të monitoruar dhe rishikuar zhvillimet. Zyra e BE-së do të informojë gjithashtu publikun e Kosovës për çështjet përkatëse.

Rigjallërimi i urës së Mitrovicës është parashikuar në marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, të arritur më 25 gusht 2015 mes Prishtinës dhe Beogradit.

Top Channel