Jahjaga, e ftuar në dokumentarin dedikuar nismës “Mendoj për ty”

16/10/2015 00:00

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë mbrëmjen e së premtes në shfaqjen e dokumentarit mbi krijimin e instalacionit artistik “Mendoj për ty”, të artistes Alketa Xhafa-Mripa, një organizim i Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Instalacioni “Mendoj për ty” u realizua me mbështetjen e Presidentes Jahjaga, e cila tha se “për shumë vite e kemi pasur të vështirë të përballemi me dhunën seksuale, si pasojë e rëndë që la lufta në Kosovë, por tashmë nuk do të ketë më heshtje”.

“Duke zgjedhur heshtjen si përballje individuale, shoqërore, institucionale u bëmë pjesë e padrejtësisë së ushtruar mbi to. Por sot, ne nuk heshtim më. Sot, ne jemi zëri i të mbijetuarave, qëndrojmë të përkushtuar, të palëkundur, të pakompromistë për të garantuar të drejtat e tyre, për një jetë në paqe dhe me dinjitet. Për t’iu ofruar atyre mbrojtje institucionale dhe shoqërore, duke ndërmarrë hapa të vazhdueshëm për rehabilitimin, riintegrimin dhe risocializimin e tyre të plotë”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

Instalacioni “Mendoj për ty” u realizua më 12 qershor, ku në stadiumin e Prishtinës u vendosën 5000 funde dhe fustane të dhuruara, si shenjë solidariteti për gratë e mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Presidentja Jahjaga tha se, imazhi i atyre fustaneve do të mbetet i gjallë në kujtesën e popullit, si një vepër që përcolli të vërtetën e rëndë të një krimi mizor, të kryer mbi qytetarët e Kosovës dhe se, “do ta kujtojmë edhe si një shprehje të solidaritetit të pashoq, i cili tejkaloi kufijtë e vendit në mbrojtjen e të drejtave të të mbijetuarave të dhunës seksuale  gjatë luftës në Kosovës”.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe disa të mbijetuara të dhunës seksuale, familjarë të tyre, ambasadorë, gra të fushave të ndryshme të shoqërisë kosovare etj.

Top Channel