Në qershor 2011 do të vendosej guri i themelit që shënoi nisjen e ndërtimit të komplesit gjigand të Top Channel, i shtrirë në një sipërfaqe prej 21.000 metra katrorë.

Katër vite më pas, Top Channel tashmë ka një shtëpi të re nga ku 8.500 metra katrorë janë ambiente administrate dhe zyrat e produksionit të të gjitha programeve, përfshirë 6.000 m2 studio, nga ku prodhohen dhe transmetohen të gjitha programet e Top Channel që mbajnë mbërthyer para ekranit miliona shikues.

Godina është e vetmja e këtij lloji në Shqipëri me një fasadë xhami 1500 m2. “News Room”, dhoma e lajmeve, është më e madhja në Ballkan e konceptuar sipas modelit të “BBC all news”, përshi gazetën Shqip, një trend që po gjen përhapje në të gjithë botën.

Një ëndërr që nisi 14 vjet më parë në mendjen e një gjeniu dhe që sot është realitet. Në ditën e lindjes së Tanit, 16 tetor, politikanë, diplomatë, miq e partnerë të shumtë që kanë shoqëruar në këtë rrugëtim Top Channel u mblodhën në festën e madhe të inaugurimit të këtij kompleksi të ri dhe modern, shtëpinë e re dhe të bukur të Top-it.

Zonja Vjollca Hoxha, presidente e Top Media, në fjalën përshëndetëse u shpreh se ky inaugurim është një ngjarje shumë e rëndësishme për Top Channel, të gjithë grupin Top Media dhe për atë personalisht.

“Sot do të ishte e pamundur të mblidheshim të gjithë këtu, pa ndihmën dhe kontributin e atyre që na kanë shoqëruar në këto 14 vite të ekzistencës sonë si televizion. Ky institucion rritet çdo ditë e më shumë dhe pak nga ata që na kanë shoqëruar që në fillimet e para e mbajnë mend mirë krenarinë dhe entuziazmin e Tanit kur prezantonte studiot e reja tek Piramida. Unë jam e sigurt se ai është krenar me ne sot, me shtëpinë e tij të vogël dhe atë të madhe. Dua të falenderoj gjithashtu të gjithë ata që kanë ndihmuar në këto 4 vite për të ndërtuar shtëpinë tonë të re, shtëpi modeste por është shtëpia jonë dhe askush nuk mund të na nxjerrë nga ajo. Një falenderim i veçantë shkon për të gjithë partnerët tanë që besuan tek ne me imazhin e tyre. Dhe siç e ka zakon shqiptari, ne themi ‘në shtëpinë e re hyhet me këmbë të djathtë’. Mirë se erdhët dhe uroj ta vizitoni shtëpinë tonë të re”, u shpreh zonja Hoxha.

Disa prej të ftuarve dhanë impresionet e tyre nga ky inaugurim.

Edi Rama, kryeministër: “Rëndësi ka që e kanë me leje ndërtimin, që paguajnë dritat rregullisht, ujin, taksat. Kjo është kryesorja. Por, përtej shakasë, unë ju uroj fat dhe sukses në një përpjekje që është veçanërisht e vështirë, jo thjesht sepse është e vështirë të kesh sukses dhe të qëndrosh në majë, por edhe sepse në rastin e Top Channel sfida është për të qëndruar në lartësinë e ambicies dhe ëndrrës së themeluesit të këtij suksesi të madh dhe kjo është pjesa më e vështirë. Unë ju uroj që ju t’ia dilni dhe që të jeni gjithmonë në lartësinë e ambicies së pakufishme të Dritan Hoxhës”.

Majlinda Bregu, deputete e PD: “Unë ju uroj suksese dhe besoj se tashmë, si një televizion kombëtar, pa harruar që ishte në kohën e qeverisë Berisha kur erdhi liçenca kombëtare, ka më shumë mundësi që me ambientet e reja të arrihet aty ku do teleshikuesi”.

Florian Raunig, ambasador i OSBE-së: “Faleminderit për ftesën për të qenë i pranishëm në këtë inaugurim. Ju uroj një program të mbarë, sa më cilësor, sa më të mirë e sa më të bukur të jetë e mundur. Faleminderit”.

Henri Çili, UET: “Fenomeni kulturor Top Channel në këto 15 vitet e fundit institucionalizohet në një shtëpi, në një adresë, mendoj unë, të përjetshme”.

Erjon Braçe, deputet i PS: “Më shumë sesa godinat, Top Channel i vlen shpirti. Përsa kohë sot është 16 tetor, ia vlen të artikulojmë vetëm një fjali: ëndrra vazhdon”.

Arben Xhixho, gazetar i VOA: “Është shumë mbresëlënëse gjithë ndërtesa që keni bërë, me mjediset e reja të transmetimit. Një stacioni kaq të njohur sa Top Channel i takon dhe më në fund ju do të keni tamam shtëpinë tuaj”.

Ylli Rakipi: “Top Channel sigurisht që nuk është vetëm një godinë, sado e madhe dhe e bukur të jetë ajo. Është televizioni më i rëndësishëm i vendit, që i ka dhënë jetë, atë pjesën e vërtetë të jetës, medias shqiptare. Domethënë, pronari i saj, ai që e themeloi është njeriu që nuk bëri as hap as hartë, por e fluturoi, e nisi median shqiptare në një hapësirë krejt tjetër, ndryshe nga ç’do ishim tani”.

Ndërtimi i këtij kompleksi mediatik, që me të tilla përmasa e bën unik në Shqipëri, është vijimi i historisë së Top Medias, e nisur në vitin 2001. Një histori dhe rrugëtim i gjatë, që me këtë rast ka ardhur e përmbledhur përpara të gjithëve nëpërmjet një mini muzeumi.

Top Channel prodhon 200 orë programe në ditë. Numri mesatar i punonjësve është 583, nga të cilët 62% meshkuj dhe 38% femra. Gjatë një viti Top Channel paguan 260.095.856 lekë taksa.

Të ftuarit kanë vizituar ambientet e Top Channel, ndërsa festa ka vijuar deri natën vonë…

Top Channel